Shqipëria

300 mijë metra katrorë asfaltim në Tiranë, premton Veliaj


“Kemi një propozim për të asfaltuar në Tiranë 300 mijë metra katrorë rrugë kryesore, dytësore dhe sheshe të blloqeve të banimit nga njësia 1 deri në njësinë 11 dhe nga lagjia 12 deri në lagjen 14”.

Kështu deklaroi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Sipas tij, qyteti ka qenë i gjithi një kantier, disa raste prej punëve private, në pjesën më të madhe punë publike.

“Sot kemi mbledhur të gjithë qindarkat e projekteve të parealizuara dhe kemi propozuar që të shfrytëzojmë këtë fond dhe të rialokojmë për drejtorinë tonë të punëve publike këtë projekt gjigant asfaltimi, sistemimi dhe urbanizim i të gjithë blloqeve të Tiranës”.

Veliaj theksoi se do të mbledhin të gjitha fondet e pashpenzuara të vitit dhe “do t’i çojmë në këtë projekt që kërkon më pak punë projektuese dhe më shumë punë në terren”.

“Ndërhyrja do të konsistojë në përmirësimin e shtresave asfaltike, shtresave të trotuareve, riparimet të pjesshme të paketës së shtresave rrugore ku ato paraqiten më të dëmtuara, sinjalistikën horizontale, si dhe kompletimin me sinjalistikën vertikale në ato pjesë ku ajo mungon”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore