Lajme

300 humbje jete nga përmbytjet në Pakistan, ndërsa parashikohen më shumë shira musonesh


Përmbytjet e shpejta në të gjithë Pakistanin kanë vrarë të paktën 310 njerëz dhe kanë plagosur qindra të tjerë, ndërsa qeveria ka dhënë paralajmërime për rrebeshe të tjera ekstreme të musonit në 14 qytete.

Qyteti jugor i Karachi-t, shtëpia e 16 milionë banorëve, ka parë lagje dhe automjete të zhytura në ujërat me baltë deri në gjunjë; rrugët janë të pakalueshme. Të paktën 15 persona kanë vdekur që nga e shtuna.

Shërbimet publike në qytet janë pezulluar dhe bizneset janë mbyllur. Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të vendit (NDMA) tha se infrastruktura, rrjetet rrugore dhe 5 mijë e 600 shtëpi ishin dëmtuar.

Pakistani, i cili pësoi një valë ekstreme të të nxehtit në fillim të këtij viti, renditet ndër vendet më të cenueshme në Indeksin Global të Rrezikut të Klimës, i cili regjistron humbjet ekonomike dhe njerëzore të motit ekstrem. Pakistani vlerësohet të ketë humbur 10 mijë jetë për shkak të fatkeqësive mjedisore, me humbje financiare prej 4 miliardë dollarësh në dekadën deri në vitin 2018.

“Klima po luan rolin e saj”, tha Afia Salam, një aktiviste për çështjet e klimës.

“Kemi muson të lëvizshëm, kemi reshje më të mëdha, kemi shi që bie brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore që dikur shpërndahej në kohë, kështu që këto modele të ndryshimit të motit janë aty. Karachi përballet me përmbytjet urbane dhe kjo është shenjë e kohërave të motit të paparashikueshëm”.

Në Karachi, tregtarët po numërojnë humbjet e tyre, me përmbytje të mëdha në sektorin tregtar që shkatërroi tregun e elektronikës dhe veshjeve dhe çoi në humbjen e miliarda rupi (monedha pakistaneze).

“Ne nuk kemi alternativë tjetër veçse t’i zhvendosim mallrat tona në vende më të thata dhe më të sigurta sepse rrugët u kthyen në lumenj – madje edhe automjetet nuk ishin në gjendje të kalonin nëpër ujin me baltë në rrugë”, tha tregtari i pajisjeve elektronike Ahmed Khan.

Në Orangi Town, një lagje e varfër në Karachi, Farooq Ali dhe fqinjët e tij janë të angazhuar me një pastrim me themel të banesës pasi një përmbytje uji hyri në shtëpitë e tyre.

“Moti tani është i paparashikueshëm dhe jeta ndalon kur reshjet zgjasin edhe për disa orë. Do të duhen javë për të kulluar ujin, pa asnjë mbështetje nga qeveria bashkiake”,  tha Ali, një shitës perimesh.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore