Lajme

3 vjet burg për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Haskuka: Kosova vend i çudirave


Jetmire Vrenezi dhe Mytaher Haskuka

Për ish-kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dënimi i ish-zyrtarëve komunal të Prizrenit – të cilët ishin në pozitë gjatë qeverisjes së tij 4 vjeçare në këtë komunë – për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit të aneksit të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019, është i padrejtë.

Gjatë ditës së martë Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 3 vjet burg burgim dhe dy mijë euro gjobë deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi në atë botë ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit dhe ish-drejtorin e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaçi, e sipas Haskukas, një aktgjykim i tillë legjitimon ndërtimin e objekteve pa leje.

Pas aktvendimit, Haskuka ka kërkuar që procesi i Vettingut në Drejtësi të implementohet sa më shpejtë që është e mundur.

“Nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë trajtohet si ‘keqpërdorim detyre’. Kosova vend i çudirave. Vetingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka shkruar Haskuka në rrjetin e tij social në Facebook.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prizren, këtë të martë të 17 majit, ka dënuar me 3 vjet burg dhe dy mijë euro gjobë deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, në atë botë ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit të aneksit të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019.

Përveç deputetes Vrenezi, fajtorë në këtë rast është shpallur edhe, ish-drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaçi, i cili është dënuar me 3 vjet heqje lirie dhe gjobë me shumën 2 mijë euro.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kimete Kicaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e 729 euro.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore