Shqipëria

29 mijë vizita mjekësore në 29 qendra shëndetësore


Në qendrat shëndetësore verore janë kryer gjithsej 29 mijë vizita mjekësore, nga të cilat 8 mijë kanë qenë turistë.

Këtë e ka konfirmuar ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, të premten e13 gushtit, gjatë inspektimit të Qendrës Shëndetësore në Drimadhes.

Kjo qendër ka qenë një nga pikat me fluksin më të lartë gjatë këtij sezoni, ku po shërbejnë tre mjekë dhe tre infermierë, përgjatë 24 orëve dhe shtatë ditëve.

Sipas ministres, 29 qendrat shëndetësore verore do vijojnë të jenë të hapura deri në fund të sezonit turistik.

“Përveç këtyre qendrave, ndodhen dhe 14 postacione të urgjencave kombëtare të autoambulancave”, ka deklaruar ministrja.

Gjithashtu theksoi se, deri më tani, në Shqipëri kanë mbërritur 1 milionë e 800 mijë doza vaksine të mbërritura nga kompani të ndryshme.

Ndërsa numri i  vaksinimeve ka kapur shifrën prej 1 milion e 300 mijë vaksinimesh.

Procesi i vaksinimit

Në Shqipëri, ndërkaq, vazhdon procesi i vaksinimit në të gjitha qarqet.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Tashmë ka nisur vaksinimi edhe për operatorët turistikë në Durrës, Vlorë dhe Lezhë, si dhe stafet e aviacionit civil.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Nё diagramёn e publikimeve tё faqes shkencore, Our World in Data, Shqipёria renditet nё vend tё parё, pёr administrimin e dozave pёr 100 persona, tё javёs sё fundit, duke u vendosur në krah të Bashkimit Evropian, me të njëjtin rezultat.

Shqipёria kryeson listёn e administrimit tё dozave nё fushatёn e vaksinimit anti-Covid.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore