Lajme

267 pickime nga rriqrat në Malishevë, ende asnjë i infektuar


Ilustrim

Çdo pranverë, banorët e komunës së Malishevës ballafaqohen me problemin e njëjtë.

Pickimin e rriqrave.

Lufta e fundit në Kosovë kishte bërë që kjo zonë të kontaminohej dhe rrjedhimisht këto insekte ishin infektuar.

Atakimi i banorëve të Malishevës dhe rrethit, nga këto insekte, ishte histori ballafaqimi në vete, duke shkaktuar edhe vdekjen.

Gjatë këtij viti janë regjistruar 267 pickime nga rriqrat, po asnjë qytetarë nuk është infektuar.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shpëtim Robaj në këtë komunë.

Afrim Krasniqi drejtor i QKMF-së në Malishevë, ka thënë për RTK se që nga fillimi i vitit në QKMF në Malishevë kanë kërkuar ndihmë 267 raste për pickim të rriqrave.

“Shumica nga ta janë nga komuna e Malishevës, por kemi edhe nga komuna te tjera që kanë kërkuar ndihmë tek ne. Fatmiresisht nuk kemi asnjë rast që ka qenë i përkeqësuar. Fatkeqësisht trendi po vazhdon po në krahasim me vitin e kaluar kemi rënie të lehte ndoshta për shkak edhe të dezinsektimit dhe fushatave vetëdijësuese”, tha ai.

Kurse drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, bëri të ditur veprimet komunale për këtë çështje.

“Komuna e Malishevës ka pasur prioritet këtë çështje ku kemi ndare 60 mije euro për dezinsektim selektiv të zonave endemike. Tash është në procedurë të prokurimit publik dhe është një ankesë dhe presim që shumë shpejt të zgjidhet dhe të fillojmë”, tha Berisha.

Lidhur me këtë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ditë më parë ka njoftuar se në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes ku me ç’rast ka kërkuar kujdes nga qytetarët duke dhënë edhe rekomandime se si të mbrohen.

2013-ta ishte viti më tragjik i pickimit të rriqrave në Malishevë.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së ishin regjistruar nëntë raste të vdekjeve nga ethet hemorragjike, krime kongo, pas pickimit të rriqrave. 5 prej tyre vetëm nga komuna e Malishevës.

Prej vitit 2002, e deri në këtë datë, në Kosovë kishin vdekur 18 persona vetëm nga kjo komunë, nga ethet hemorragjike, krime kongo.

Po këtë vit në Kosovë ishin regjistruar 4 mijë e 715 raste të pickimeve nga rriqrat, 148 raste të dyshimta me ethe hemorragjike, derisa 23 raste kishin rezultuar pozitive, kurse 9 persona kishin përfunduar me vdekje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore