“25 rrugë ilegale janë bllokuar në Veri”

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbi 20 rrugë ilegale janë mbyllur në Veriun e Kosovës. Nëse do të ketë nevojë për ndalimin e rasteve të kontrabandimit, do të vendosen edhe barrikada të tjera, siç janë vendosur tek Ura e Bërnjakut.
SHFLETO

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani

 

Altina Marmullaku
27.09.2024 16:01
Loading Icons...

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se deri tani janë bllokuar rreth 25 rrugë ilegale në komunat veriore.

Elshani, duke folur për gazetarët, ka thënë se aty ku e shohin të nevojshme të vendosin barrikada për të parandaluar kontrabandën, do ta bëjnë atë.

“Ne deri tani i kemi bllokuar rreth 25 rrugë ilegale në Veriun e vendit. Aty ku e shohim të arsyeshme të vendosim barrikada, i vendosim. Aty ku shihet e arsyeshme të hapim gropë për të bllokuar rrugën që të mos dalë në anën tjetër të kufirit, e bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës, të enjten ka vendosur pengesa të pjesërishme tek Ura e Bërnjakut, kjo me qëllim të parandalimit të kontrabandës.

Ky vendim kishte ardhur pasi që një grup i serbëve kishin bllokuar pikën kufitare në Jarinje, derisa nuk i lejonin që të kalonin ata që posedonin dokumente të Kosovës.

Bllokimi i kufijve nga ana e Serbisë si shenjë revolte ndaj politikave të Qeverisë së Kosovës në raport me Veriun e vendit nisi si aksion të premten e 6 shtatorit.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaratat se po mbyllën rrugët ilegale në Veri i ka mjaftë të shpeshta, por në anën tjetër aksionet e Policisë së Kosovës tregojnë për gjetjen e një sërë armatimi, siç ishte rasti i fundit më 14 maj.

Për shkak të gjendjes ndryshe në terren, deklaratat e ministrit s’janë marrë seriozisht as nga ndërkombëtaret kjo për shkak se bien në kontradiktë me njëra-tjetrën, kishin thënë njohësit e çështjeve të sigurisë për Albanian Post.