Lajme

23 vjetori i Konferencës së Rambujesë, Hasani flet për Albanian Post për tensionet brenda kështjellës


Enver Hasani

Në 23 vjetorin e Konferencës së Rambujesë, Enver Hasani, ish- këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës, thotë për Albanian Post se ende i ka në memorie zhvillimet e tensionuara brenda kështjellës mesjetare së Rambujesë në Francë, që ishte udhëhequr nga ish-drejtori i drejtorisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ajo që mbaj mend më së shumti nga Konferenca Rambujesë, ku isha si këshilltar ligjor i delegacionit tonë, është çështja e nënshkrimit të saj dhe tensionet rreth formulimeve për dispozitën mbi mbajtjen e referendumit pas tri vjetëve”, tha Hasani.

Hasani thekson se negocimi me Serbinë ka qenë i vështirë, “pasi forcat e tyre ushtarake vranë njerëz të pafajshëm në Kosovë”.

Kështjella e Rambujesë

“Për fat, me mirëkuptimin e SHBA-së dhe aleatët të tjerë të Kosovës, ajo çështje u tejkalua”, shtoi ai.

“Ka qenë gjendje e rënd në terren dhe negocimi me Serbinë dukej absurd në një kohë që shqiptarët, fëmijë e të rritur, vriteshin barbarisht”, ka shtuar ai.

Sipas Hasanit, marrëveshja e Rambujesë ishte historike për Kosovën, pasi ndërprerën përpjekjet serbe të diktatorit Millosheviç për të përfunduar gjenocidin e dytë në Ballkan.

“Përveç kësaj rëndësi kolosale, një tjetër rëndësi është se nënshkrimi i saj nga pala jonë i hapi dyert për largim pakusht të të gjithë aparatit shtetëror dhe parashtetëror serb që ishte instaluar në Kosovë pas datës 23 mars 1989”, potencoi ai.

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt të vitit 1999, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majosrsi nga Rusia dhe Vollfgan Petriq nga Bashkimi Evropian.

Delegacioni i Kosovës

Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë.

Bombardimet përfunduan më nëntë qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore