Lajme

23 vjet nga “Nata e Tmerrit” në veri të Mitrovicës


Veriu i Mitrovicës

Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, të banuar tani me shumicë serbe, para 23 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, janë vrarë 10 shqiptarë etnikë e plagosur 25 të tjerë nga pjesëtarë të “Rojave të Urës”.

Në këtë natë, të njohur si “Nata e Tmerrit”, burra e gra, midis tyre fëmijë e pleq nga 13 deri në 65 vjeç mbetën të vrarë e të masakruar. E brenda atij muaji mbi 1 mijë e 560 familje me më shumë se 11 mijë 300 anëtarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre në veri.

Pas kësaj ngjarje tragjike, kujtojmë Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) të cilët kishin thënë se të gjitha këto vrasje janë bërë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare.

Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit 2000 janë vrarë Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi.

Sipas dëshmitarëve, operacionin e vrasjeve e kishte udhëhequr Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, në krye me ish-komandantin, Dragan Delibashiç dhe politikanin tashmë të ndjerë serb Oliver Ivanoviç.

Autorë të këtij krimi monstruoz ishin edhe Milodrag Raliç, Pagi Joviç, Zoran Dediç, Rela Martinoviç, Zoran Kostiç, Sasha Saviç, Ivan Mandiç, Dragan Shilkoviç, Dulko Shilkoviç e të tjerë.

Ndërkaq, sipas Halit Beranit nga KMLDNj në Mitrovicë, në krim ishin të përfshirë dhjetëra kriminelë që kishin ardhur me tre autobusë nga Serbia më 2 shkurt, një ditë para masakrës.

Banorët e Mitrovicës e kanë ende të freskët përjetimin e këtyre ditëve, të cilët u dëbuan nën plumbat e serbëve e gazin lotsjellës të KFOR-it të cilët mundoheshin të neutralizonin situatën dhe në të njejtën kohë ndihmonin evakuimin e “sigurtë” të grave e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore