Shqipëria

23 prilli, dita e librave dhe autorëve


23 prilli nuk është thjeshtë ditë muaji. Kjo datë i kushtohet librave dhe vetë autorëve të tyre.

Ishte viti 1995, kur Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO), vendosi që ta shpallë 23 prillin si Dita Botërore e Librit dhe të Drejtës së Autorit.

23 prilli, nuk është një rastësi!

Në këtë datë të vitit 1616, vdiqën dy kolosë të letërsisë botërore, britaniku William Shakespeare dhe spanjolli Miguel de Cervantes.

Kjo datë shënjohet në botë që prej vitit 2003, ndërsa është përzgjedhur nga UNESCO që në vitin 1995, me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit.

Xhesika Maçi, si autore e re letrare në Shqipëri, mbrojtjen e të drejtave të autorit e sheh si një nga problematikat më të mëdha në sektorin e publikimeve, qofshin ato akademike apo artistike.

“Në fakt në Shqipëri mund të them padyshim që risku i përballjes me situata të pakëndshme të vjedhjes së autenticitetit, janë të shumta”, thotë ajo për Albanian Post.

Por sërish, për autorët ka shpresë sipas saj, mbi të gjitha duke parë ndryshimet në vitet e fundit.

Xhesika Maçi, autore

“Ndjeshmëria ndaj këtij fenomeni po rritet. Ky është një tregues pozitiv i një reagimi shoqëror dhe jo vetëm”.

Për autoren 22-vjeçare, rritja e ndikimit nga rrjetet sociale, e ka minimizuar kontaktin me librin. Megjithatë, njëkohësisht, edhe e ka lehtësuar aksesimin e librit.

“Jam pro çdolloj mënyre alternative të cilat të drejtojnë kah leximit”, shtjellon ajo. “Pra, instrumentet janë të ndryshëm sot dhe të parëndësishëm për sa kohë rezultati është ai me i rëndësishmi, leximi”.

Grupmoshat që lexojnë sot nga ana tjetër, janë të larmishme dhe dëshira për zhanre të caktuar ndryshon në varësi të target grupit.

Sipas Maçit dhe asaj çfarë vëren ajo me librin e saj, grupmosha më e rritur ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me librin si objekt, si një urë lidhëse dhe komunikuese. Kjo e fundit mbetet më e veçanta për ta, sepse janë po këto mosha të cilat promovojnë intensivisht leximin e librit fizik, qoftë edhe duke i parë vet ata teksa lexojnë artikuj të ndryshëm nëpër parqe.

Këtë gjë e konfirmojnë edhe Shtëpitë Botuese, të cilat operojnë në Shqipëri.

“Përgjatë verës, atëherë kur lexuesit nuk kanë angazhime aq të mëdha, siç i kanë muajt e tjerë të vitit, priren të lexojnë libra të zhanreve të ndryshme, romane kryesisht, por edhe poezi apo tregime”, thotë redaktorja e Shtëpisë Botuese Toena, Edona Marku, për Albanian Post.

Sipas disa prej librarive më të njohura të Tiranës, gjatë kësaj periudhe, rriten kërkesat e lexuesve për të blerë libra të rinj.

Anila Bisha, drejtore e Shtëpisë Botuese Mediaprint, për Albanian Post thotë se “ne si shtëpi botuese, gjatë stinës së verës nxjerrim në treg më shumë tituj të rinj dhe kryesisht të përqendruar te fëmijët”.

Letërsia e huaj, më shumë e kërkuar se ajo shqiptare?

Shtëpitë Botuese për AP-në, ndër të tjera, thonë se mjaft e kërkuar është edhe letërsia e huaj, që ka si tematikë kryesore romancën, historinë dhe aventurën.

Sa u përket shitjeve të librave dhe a ndihet një ndryshim gjatë verës, ato shprehen njëzëri se “po”.

“Sa u përket shitjeve gjatë sezonit të verës, mund të themi se ato shënojnë një lloj rritjeje me 10% krahasuar me muaj e tjerë të vitit. Kjo për arsye se lexuesit ndoshta kanë më shumë kohë për t’i dedikuar librit. Stina e verës, pushimet, i shtyjnë ata më shumë drejt tij”, deklaron Marku nga Toena.

Megjithatë, prapa nuk mbeten as autorët shqiptarë, si dhe librat për adoleshentë e fëmijë.

Në ditën kushtuar atyre, edhe një arsye më shumë për t’i përmenduar dhe lexuar!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore