Kosova

22 vjet nga themelimi i TMK-së


Ilustrim

19 shtatori i këtij viti shënon 22 vjetorin e themelimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Bazuar në marrëveshjen e Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë, ishte paraparë çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe transformimi i saj në TMK.

Dhe rrjedhimisht me hyrjen e trupave ushtarake të NATO-s, në Kosovë në vitin 1999 filloi edhe transformimi i UÇK-së.

TMK-ja u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, që po ndodhnin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, e cila rritej e forcohej por në kushte jo të mira dhe paga të ulëta.

Udhëheqësi i parë i TMK-së u emërua Gjeneral-lejtnant, Agim Çeku.

Agim Çeku, udhëheqësi i parë i TMK-së

Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për ri-ndërtimin dhe komunitetet.

Ndërsa procesi i shpërbërjes së TMK-së, dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, filloi me me 2 shkurt të vitit 2007 kur i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin “Standardet për Kosovën” në Prishtinë, në të cilën parashihej edhe shpërbërja e TKM-së, dhe krijimi i një force të re.

“Do të krijohet një forcë e re, profesionale dhe shumë-etnike për sigurinë e Kosovës, e cila do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e aftë të mbulojë nevoja të caktuara të sigurisë sipas Shtesës VII të kësaj marrëveshje. Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pasi e arritën qëllimin e tyre, duke përfshirë këtu lehtësimin e rindërtimit pas lufte të Kosovës. Ato do të shpërndahen 1 vit pas miratimit të kësaj marrëveshjeje”, shkruhej në Planin e Ahtisaarit.

Shpërbërja e TMK-së është bërë me pajtimin e të gjithë faktorëve relevantë vendorë dhe të huaj.

Ndërsa me 21 janar të vitit 2009 u krijua FSK, e cila fillimisht kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret që mund të kërcënojnë Kosovën.

Pas 10 vitesh FSK është shndërruar në ushtri të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore