Kosova

22 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë – u vranë e masakruan 77 shqiptarë


Këtë të shtunë bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë të Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Vetëm në fshatin Poklek kanë mbetur të vrarë 54 persona.

Sipas të mbijetuarve, nga 54 viktimat e kësaj masakre, 24 prej tyre kanë qenë fëmijë nën moshën 18 vjeçare.

Trupat e vdekur në këtë masakër u grumbulluan dhe u dogjën në një shtëpi të fshatit për të zhdukur gjurmët e krimit, i cili ndodhi në sy të dëshmitarëve.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën.

Ndërsa në Çikatovë, po të njëjtën ditë, forcat serbe masakruan 24 qytetarë, po ashtu gra fëmijë e pleq.

Por, edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në ora 11:30 do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë.

Ndërsa, më pas Osmani dhe Konjufca do të bëjnë homazhe në kompleksin memorial në Poklek.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore