Lajme

21 vjet që nga fillimi i përmbysjes së regjimit të Millosheviç-it


Protestat anti-Millosheviç 5 tetor 2000-Beograd

5 tetori i vitit 2000 shënon fillesat e shembjes së regjimit të Sllobodan Millosheviç-it nga vetë qytetarët serb të cilët u mblodhën në Beograd për të kundërshtuar vazhdimin e mëtejmë të tij, sepse s’kishin më çfarë të humbnin më shumë se sa vetë Millosheviç-in.

Tetë muaj më vonë, regjimi i tij u përmbys, por fryma e tij vazhdon të jetë ende prezente në Serbi, madje duke qenë edhe në pushtet.

Regjimi i Millosheviç-it u mposht nga një koalicion i 17 partive opozitare – Opozita Demokratike e Serbisë (DOS) – e cila u formua në janar të vitit 2000, pas përpjekjeve të vështira dhe mosmarrëveshjeve të opozitës, të cilat për një dekadë ndoqën pas regjimin, duke u bërë opozitë fiktive.

DOS-i ishte mbështetur edhe nga disa Organizata Joqeveritare, të tilla si grupi i ekspertëve ekonomikë – G17 plus, i cili më vonë do të shndërrohej në një parti politike, por edhe nga disa sindikata të punëtorëve.

Mbështetje të fuqishme DOS morri nga aktivistët e rinj të lëvizjes antimillosheviçiane, “Otpor” (Rezistenca), të cilët kishin një eksperiencë të mirë në luftën kundër regjimit.

Nacionalizmi i Millosheviç-it kishte rrënuar gjithçka përreth Serbisë, e duke bërë atë xhelat të popujve të tjerë.

Për krijimin e “Serbisë së Madhe”, bashkimin e territoreve të banuara me serbë në një “Shtet të vetëm”, bëri që më së shumti të pësojë Bosnja dhe Hercegovina nga kjo.

Jugosllavia, ishte shembur realisht. Por, nën emrin e saj dhe për “ruajtjen e territorialitetit” të Jugosllavisë, Serbia e kishte marrë ‘bajrakun’, por ajo e humbi edhe de-jure Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe më parë vet Maqedoninë.

Nën sundimin e egër i kishte mbetur vetëm Kosova.

E tërë energjia fashiste e Millosheviç-it ishte koncentruar në zhbërjen e shqiptarëve të Kosovës.

Aparteidi në Kosovë kishte filluar qysh para luftërave në Bosnje dhe Kroaci.

Fillimisht, duke suprimuar Autonominë dhe për t’u rrëmbyer pastaj çdo të drejtë tjetër, përfshi edhe të drejtën për jetë.

Varrimi i të shqiptarëve- Masakra e Reçakut 1999

Kjo zgjati për afro një dekadë, derisa shqiptarët u organizuan që ta mbrojnë jetën dhe pronën e tyre.

Masakrat ndaj popullatës civile në Kosovë të shkaktuara nga regjimi i Millosheviç-it, bënë që të intervenojë NATO-ja mbi Jugosllavinë e mbetur, përkatësisht mbi Serbinë dhe Malin e Zi.

Bombardimi zgjati për 78 ditë (nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999), duke dëmtuar forcat ushtarake, policore dhe paramilitare në teren nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, duke shkatërruar infrastrukturën brenda Serbisë, përfshi atë ekonomike, ushtarake dhe logjistike.

Regjimi i Mollosheviç-it faktikisht më 10 qershor të vitit 1999 mori fund mbi Kosovë, por ai mbeti një kërcënim për vetë serbët në Serbi.

Nacionalizmi i ngritur prej tij, tashmë ishte një rrezik për vetë Serbinë e humbur dhe të shkatërruar.

U deshën mbi një vit deri në një organizim për ta mposhtur atë edhe brenda Serbisë.

5 tetori i vitit 2000, i dha fund sundimit të Millosheviç-it, por jo edhe atyre që ishin edukuar dhe ushqyer me idetë e tij.

Ata që rrëzuan Millosheviç-in mendonin se serbët do të jetojnë të lirë me heqjen e regjimit.

Vladimir Jeshiç ishte një nga anëtarët kryesorë të Otpor-it i cili ishte angazhuar fuqishëm, por se pas disa vitesh kishte kuptuar se parulla me të cilën protestuan nuk gjeti lirinë asnjëherë.

Me vrasjen e kryeministrit dhe prijësit të DOS-it, Zoran Gjingjiç, mori fund edhe vet DOS-i, u shpartallua thuajse krejtësisht, duke ikur prijësit e saj, ndërsa në politikë vazhduan vetëm gjashtë prej tyre: Dragoljub Miçunoviç, Vojisllav Koshtunica, Velimir Iliç, Nenad Çanak, Zharko Koraq dhe Rasim Lajiç.

21 vite pas rrëzimit të Milloshviç-it, lideri i Lëvizjes Socialiste të Serbisë, Aleksandër Vulin i cili është Ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë, përmes një deklarate është shprehur se pas protestës së madhe popullore serbe të 5 tetorit të vitit 2000 kundër “Kasapit të Ballkanit”, “Serbia është sunduar nga e keqja”.

“Puqi i 5 tetorit solli regjimin anti-serb në Serbi, të cilët bënë privatizimin dhe vjedhjen, dhe nxorën jashtë pune e në rrugë mijëra punëtorë”, deklaroi partia e Aleksandër Vulin-it.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin duke bërë homazhe te Kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç

Edhe Lëvizja e Social Demokratëve të Vojvodinës ka bërë thirrje për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për luftërat e viteve të ‘90-ta në ish-Jugosllavi.

“Mbetjet e Millosheviç-it dhe të Sheshel-it ende shpërndajnë urrejtje sikurse në vitet e 1990-ta. Kriminel të dënuar të luftës ende bëjnë paradë në media, dhe tani edhe po dalin rrugës e po kërkojnë lirimin e vrasësve të Zoran Gjingjiç-it”, shkroi LSV-ja.

Në zgjedhjet e 24 shtatorit 2000, Millosheviç-i ishte ri-kandidua falë një reforme kushtetuese, mirëpo ai u mund nga Vojsllav Koshtunica, një nacionalist më i moderuar.

Millosheviç me 6 tetor u detyrua të pranojë humbjen pas një proteste të madhe, ku protestuesit kishin hyrë në parlament duke mbajtur të bllokuar atë.

Me 28 qershor të vitit 2001, kryeministri serb, Zoran Gjingjiç e dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, përkundër kundërshtimit të Koshtunicës dhe një pjese të opinionit publik serb.

Arrestimi i Sllobodan Millosheviç-it. Deopërtimi i tij për në Hagë

Millosheviç-i u akuzua për krime kundër njerëzimit për operacionet e Ushtrisë Jugosllave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë.

Sllobodan Millosheviç gjatë gjykimit në Hagë

Millosheviç-i disa muaj para se të përfundojë gjykimi i tij në Hagë u gjet i vdekur më 11 mars të vitit 2006.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore