Shqipëria

21 të vdekur nga COVID-19 në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit 21 persona kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 952 qytetarë në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), nëntë qytetarë janë nga Tirana, dy nga Kurbini, dy nga Berati, një nga Tepelena, Fieri, Peqini, Erseka, Librazhdi, Elbasani, Dibra dhe Lushnja. Këta persona i përkasin grupmoshës 50-91 vjeç.

Ditën e sotme janë vaksinuar 1 mijë e 28 qytetarë. Deri më tani janë kryer 13 mijë e 495 vaksina anti-Covid. Procesi i vaksinimit ka vijuar në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Aktualisht në spitalet COVID, në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 662 pacientë. 49 pacientë ndodhen në terapi intensive nga të cilët 14 janë të intubuar.

Janë kryer 3 mijë e 805 testime dhe janë shëruar 804 qytetarë.

Nga raporti shihet se ka përsëri një numër të lartë të vdekjeve që nga shfaqja e coronavirus-it. Gjithashtu shihet se rastet e reja kanë pasur një rritje gjatë 24 orëve.

Po ashtu gjatë kësaj jave shihet një rritje e rasteve të pacientëve që janë në terapi intensive.

Kujtojmë se më 25 shkurt u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve ku deklaroi se mbeten në fuqi masat që u morën më 11 shkurt, për parandalimin e coronavirus-it. Kufizimi i lëvizjes vazhdon nga ora 20:00-06:00. Kjo masë është shoqëruar gjithashtu me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore