Libra

21 marsi – Dita Botërore e Poezisë


Më 21 mars shënohet dita botërore e poezisë, e cila është shpallur që nga viti 1999 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO).

Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye, UNESCO përmes një shkrimi në Facebook bën thirrje për të na kujtuar “bukurinë që na rrethon dhe qëndrueshmërinë e shpirtit të përbashkët njerëzor”.

Poezia është një ndër gjinitë letrare ku porosia e poetit shprehet me anë të vargjeve dhe si e tillë ajo ashtu konsiderohet si lloji më i vjetër i krijimtarisë letrare.

“Epi i Gilgameshit”, që konsiderohet si një ndër shembujt e hershëm të krijimtarisë poetike, është një poemë epike nga Mesopotamia e lashtë, historia letrare e së cilës fillon me pesë poema sumeriane rreth mbretit të Urukut.

Në fillimet e letërsisë, çdo shprehje konsiderohej si poezi gjë që më vonë Aristoteli me veprën e tij “Poetika”, i cili e quante poezinë diçka më filozofike dhe universale në krahasim me historinë që i tregon gjërat ashtu siç kanë ndodhur.

Prandaj ai e ndau poezinë në tri gjini, në poezi lirike, poezi dramatike dhe epope.

Poezia bashkëkohore shqipe

Poezitë e Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Ismail Kadare, Martin Camaj dhe shumë poetëve të tjerë i sollën letërsisë shqipe një frymë unike që vihet re në temat e trajtuara dhe përdorimin e figurave stilistike.

Poezitë e secilit prej tyre janë të qarta, me një fjalor të pasur poetik dhe me identitet poetik.

Dritëro Agolli

Duke e ndjekur poezinë e Agollit nëpër kohë, shpesh ndodh që të hasim në një poet të trishtuar, të vetmuar, ndonjëherë të lodhur, por asnjëherë të mposhtur, sepse në të gjitha rastet ai kërkon një dalje drejt një shtegu nëpërmjet të cilit kërkon të vendosë një balancë midis shpirtit poetik dhe shpirtit njerëzor në përgjithësi.

Si poezi përfaqësuese të tij, mund të veçojmë “Pelegrini i Vonuar”, “Enigma e Maleve”, “Kishat e shembura”, “Mos ma kujto” e të tjera.

Ismail Kadare

Pothuajse në të gjitha poezitë e Kadaresë ka një gërshëtim të mjeteve të reja të të shprehurit me ato tradicionale në mënyrën sesi e shikon jetën dhe historinë.

Ndryshe nga proza, poezia e Kadaresë është më e qartë dhe më optimiste.

Disa nga poezitë e tij përfaqësuese janë “Krishtlindje në Neë York”, “Mall”, “Motive me diell”, “Ëndërrimet”, “Shekulli im”, e të tjera.

Martin Camaj

Poezitë e Camajt ngërthejnë në vete ambiguitetin, kontrastin e enigmën.

Individualiteti i tij poetik ka lënë gjurmë në poezinë shqipe, duke sjellë tek lexuesi një lloj poezie tjetër nga bashkëkohësit e tij, me tipare të theksuara moderne, poezi për mallin që ndjen ndaj vendlindjes por që nuk mallëngjehet.

“Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vërrinit”, janë përmbledhjet e para me të cilat Camaj e nisi veprimtarinë e tij poetike.

Megjithatë që nga lashtësia, poezia është emëruar si një prodhim i shpirtit të njeriut që vjen si zë nga brendësia e tij dhe një krijim mendor që për substancë të vet të materializmit e ka fjalën e zgjedhur me peshë artistike.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore