Shqipëria

’21 janari’, Balla: Kurrë nuk do harrojmë


“Kurrë nuk do harrojmë!”

Kështu e ka nisur ditën kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me një video duke kujtuar protestën e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër qytetarë.

“Më 21 Janar 2011 Sali Berisha urdhëroi të qëllohet me plumba mbi popullin që kishte dalë në protestën më të madhe kundër regjimit të tij korruptiv, duke u marrë jetën katër shqiptarëve të pafajshëm e plagosur dhjetëra të tjerë”, shkruan Balla në medain sociale Facebook.

Balla kujton se për kët çështje asokohe PS-ja ka depozituar kallëzimin penal “pas ngjarjes me prova dhe fakte ndaj zinxhirit komandues të vrasjeve më 21 janar, kupola e të cilëve nuk u morën kurrë të pandehur”.

“Hezitimi 11 vjeçar i prokurorisë për të marrë si fillim në pyetje dhe më pas nën akuzë atë që dha urdhrin të qëllohet mbi popullin, është turpi i drejtësisë”, thekson Balla.

Sipas tij, “për fat të keq turp ngelet edhe për drejtësinë e re, e cila po luan ping-pongun e vjetër me dosjen sipas tyre ende pa autor të dëshmorit Aleks Nika”.

“Urdhëruesi është Sali Berisha!’, e mbyll përkujtimin e kësaj ditë Balla duke akuzuar ish-kryeministrin në atë kohë, për këtë ngjarje që rezultoi fatkeqe për qytetarë protestues.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.

Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.

Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.

Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.

Familja e njërit prej tyre, Aleks Nika ka bërë me dije se e ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore