Sport

2022, viti i artë për sportin shqiptar


Viti 2022 ka qenë i begatë për sportin shqiptar me disa arritje në disiplina të ndryshme. Nga Luiza Gega e atletikës te Zelimkhan Abakarov i mundjes dhe Erkand Qerimaj i peshëngirtjes, Shqiperia ka fituar disa medalje të arta.

Gega arriti të triumfonte në Kampionatin Evropian të Atletikës të mbajtur në Mynih gjatë verës në garën e 3 mijë metrave me pengesa.

Abakarov, me orgjinë ruse, por i natyralizuar në shqiptar, arriti të nderonte flamurin kuqezi në Botërorin e zhvilluar në Beograd në shtator, pasi mori vendin e parë dhe medaljen e arit. E para në historinë e Shqipërisë në këtë disiplinë.

Në maj, Qerimaj u shpall kampion Evrope në stilin e shkëputjes në kampionatin e zhvilluar në Tiranë. Shkodrani arriti të ngrejë 150 kilogramë.

Megjithatë, viti 2022 nuk u mbyll vetëm me këto tre medalje të arta. Por pati edhe të tjera triumfe të jashtëzakonshme.

Përsa i përketë ngjarjve sportive të mbajtura në vend, organizmi i finales së UEFA Europa Conference League ishte arritja më e madhe historike. Por, gjithashtu pati dhe organizime në boks dhe peshëngritje.

Atletikë

Luiza Gega

Në aspektin personal, por edhe për sportin shqiptar, Gega kishte një vit me disa arritje.

Kulmi i arritjes së saj sportive padyshim ishte vendi i parë në Evropianin e Mynihut. Me kohën 9 minuta e 11 sekonda, Gega la pas me katër sekonda vrapuesen gjermane, Lea Meyer.

33-vjeçarja arriti të thyente me katër sekonda edhe rekordin kombëtar. Me këtë të fundit që e kishte vendosur po vetë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Më herët, ajo arriti të dilte në vendin e pestë, si më e mira në Botërorin e Atletikës në garën e 3 mijë metrave me pengesa.

Së fundmi, Gega theu rekordin kombëtar gjatë Maratonës së Tiranës, duke përshkuar 21 kilometra për kohën 70 minuta e 18 sekonda. Rekordi i mëparshëm ishte 70 minuta e 50 sekonda.

Peshëngritje

Erkand Qerimaj

Qerimaj është konfirmuar edhe një herë gjatë këtij viti si një nga peshëngritësit më të mirë që ka Shqipëria. Në munges të formës optimale të Briken Caljes, shkodrani ishte personazhi sportiv që nderoi Shqipërinë në Kampionatin Evropian të mbajtur në Tiranë.

Ai mori medaljen e artë në stilin e shkëputjes, pasi arriti të ngrinte pa problem 150 kilogramë.

Shkodrani shkëlqeu edhe gjatë Lojërave Mesdhetare “Oran 2022”, duke marrë medaljen e argjendit, po në stilin e shkëputjes. Ai, pasi dështoi në dy provat e para me 148 kg, realizoi me sukses provën e tretë me 149 kg.

Evangjelia Veli

Peshëngritësja shqiptare, Evangjelia Veli kurorzoi ëndrrën e saj duke u shpallur kampione e Evropës deri në peshën 55 kilogramë për femra. Ajo mori medalje ari në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh, kurse në shtytje mori medalje argjendi.

Shtangistja shqiptare ngriti 95 kilogramë në stilin shkëputje. Në shtytje ajo ngriti 113 kilogramë.

Megjithatë, gjithçka do të zhbëhej shumë shpejt. Dhe problemi është një fakt i njohur tashmë për peshëngritjen shqiptare, përdorimi i dopingut.

Veli rezultoi pozitive në testet anti-doping, pasi thuhet se ka përdorur substancën e ndaluar stanazolol.

Në vitin 2018, Veli rezultoi gjithashtu pozitive në testin e dopingut, me steroid anabolik, substancë tjetër e ndaluar për përdorim.

Viti per Velin ka qenë i “tmerrshëm”, pasi jo vetëm skandali i dopingut, por ajo humbi edhe mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” pasi ishte e infektuar me COVID-19.

Mundje

Zelimkhan Abakarov

Kush do ta kishte menduar se triumfi më i madh në historinë e mundjes shqiptare do të vinte nge një rus dhe në mes të Beogradit. Por, ja që tashmë është ngjarje e vërtetë.

Çeçeni me pasaportë shqiptare, Abakarov ia doli të rrëmbente medaljen e artë gjatë Botërorit që u zhvillua në Beograd të Serbisë në shtator. Hera e parë që Shqipëria shkonte aq larg në një turne të tillë.

Abakarov triumfoi bindshëm 7-2 ndaj amerikanit, Thomas Gilman (medalist dhe kampion bote), duke dominuar në çdo sekondë të asaj përballje.

Viti 2022 për mundësin kuqezi ka qenë mëse i kënaqshëm. Ai e nisi në janar me medalje bronzi në Grand Prix Ivan Yariguin të mbajtur në Rusi. Me pas, në shkurt, në Turneun Botëror të Mundjes “Dan Kolov” në Bullgari, arriti të merrte medaljen e artë.

Po medalje të artë mori dhe në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” të zhvilluara gjatë muajit korrik. Në “Lojërat e Solidaritetit Islamik Konya 2021”, të zhvilluara gjatë muajit gusht, Abakarov arriti të merrte medalje argjendi.

Islam Dudaev

Dudaev është gjithashtu një tjetër rus që nderon Shqipërinë në sportin e mundjes. Ai ka pasur një vit të suksesshëm deri më tani.

E nisi vitin me një madalje bronzi të fituar gjatë muajit janar në Grand Prix Ivan Yariguin në Rusi. Në shkurt, arriti të fitonte medaljen e artë në Turneun Botëror të Mundjes “Dan Kolov” në Bullgari. Ndërsa, në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, Dudaev mori medalje bronzi.

Boks

Florian Marku

Florian Marku arriti të sillte në Shqipëri ngjarjen më të madhe të boksit të zhvilluar në vend.

Në gusht, lushnjari u përballë në stadiumin “Air Albania” me kundërshtarin meksikan, Miguel Parra “Maquina” Ramirez, duke e mundur këtë të fundit në nje sfidë me 10 raunde për titullin ndërkombëtar IBF në peshat e lehta.

“Mbreti Shqiptar” më herët gjatë këtij viti, në prill, kishte arritur të mundëte kundërshtarin, Chris Jenkins për të rikonfirmuar titullin e tij ndërkombëtar të IBF në peshat e lehta. Dy boksierët u ndeshën në “Utilita Arena” të Newcastle në Angli. Lushnjari pas një serie grushtash, arriti ta nxirrte me KO britanikun në raundin e katërt.

Futboll

Finalja e UEFA Europa Conference League

Ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në Shqipëri ishte organizmi i finales së UEFA Europa Conference League më 25 maj në stadiumin “Air Albania”.

Ishte një ngjarje që tregoi gatishmërinë e Shqipërisë për të pritur turne të mëdhenj, por edhe të policisë për t’u përballur me tifozeri të zjarrta dhe huligane.

Çdo gjë shkoi mirë në atë organizim gati perfekt dhe i menduar në detaj nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkisë Tiranë, Policisë së Shtetit dhe shumë institucioneve të tjera që e morën përsipër.

Finalja përballi dy skuadra me emër në Evropë si Feyenoord-i holandez dhe Roma italiane. Trofeu i parë i këtij kompeticioni të ri të UEFA-s shkoi për skuadrën e Jose Mourinho-s falë një goli të Nicolo Zaniolo-s.

Në Tiranë, Roma arriti të fitonte trofeun e parë në një turne të UEFA-s. Ndërsa trajneri i tyre, Mourinho, u bë i pari nga kolegët e tij që arrin të ketë së paku një trofe të tre kompeticioneve të ndryshme të UEFA-s, Champions League, Europa League dhe Conference League.

Kombëtarja shqiptare

Për kuqezinjtë nuk ishte një vit i begatë. Shqipëria mbylli një vit 2022 për t’u harruar, me vetëm një fitore të marrë në ndeshjen e fundit, 2-0 në një miqësore përballë Armenisë në “Air Albania”.

Kuqezinjtë e nisën vitin me humbje 2-1 në një ndeshje miqësore përballë Spanjës më 26 mars në stadiumin “RCDE Stadium”.

Pas Spanjës, erdhi një tjetër miqësore. Kësaj radhe përballë kuqezinjeve ishte Gjeorgjia. Takimi u zhvilluar në stadiumin “Air Albania” përfundoi me rrjeta të paprekura.

Gjatë këtij viti kombëtarja e drejtuar nga Edoardo Reja zhgënjeu në paraqitjet e saj në Nations League. E pozicionuar në gup me Islandën, Izraelin dhe Rusinë, Shqipëria nuk mundi të tregonte forcën e saj pavarësisht se një ekip me shumë emër si Rusia u përjashtua për shkak të luftës në Ukrainë.

Shqipëria arriti dy humbje me Izraelin dhe dy barazime me Islandën, duke përfunduar në vendin e tretë në grup me vetëm dy pikë në katër ndeshje.

Dhe pas këtyre ndeshjeve erdhën katër miqësore ndaj Arabisë Saudite, Katarit, Italisë dhe Armenisë. Dy të parat nuk ishte zyrtare nga FIFA dhe u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Skuadrat e Shqipërisë (meshkujt) në kupat evropiane

Edhe për skuadrat nga Shqipëria përsa i përketë ecurisë së tyre në turnet evropian, viti 2022 nuk ishte i kënaqshëm.

Tirana, Laçi, Partizani dhe Vllaznia dështuar të tregonin forcën e tyre përballë kundërshtarëve të ndryshëm në kompeticionet e UEFA-s.

Zhgënjimi më i madh sigurisht erdhi nga skuadra kampione e Abissnet Superiores, Tirana, e cila pati mundësinë të luante fillimisht në raundet eliminatore të Champions League dhe më pas në Conference League. Mirëpo, nuk arriti të linte gjurmë as këtë vit.

Laçi, Partizani dhe Vllaznia luajtën në turet e Conference League, që siç dihet tashmë, nuk patën sukses.

Suksesi më i madh në këtë vit do të vinte nga një tjetër ekip shqiptar, por që nuk i përketë ligës së futbollit Abissnet Superiore.

Skuadra e Ballkanit të Kosovës, e drejtuar nga Ilir Daja arriti një kualifikim historik në grupet e Conference League, duke treguar karakter dhe një lojë të bukur në fushë, pavarësisht se nuk mundi të shkonte më shumë se ajo fazë.

Vllaznia femra

Një arritje e rrallë dhe e jashtëzakonshme është ajo e ekipit të femrave të Vllaznisë së Shkodrës, ku pas një fitoreje me rezultatin 2-1 përballë Vorskla Poltava, ato kanë arritur të kualifikohen në fazën e grupeve të Champions League.

Një kualifikim ky historik në futbollin e femrave, i paarritur më parë nga asnjë ekip shqiptar dhe që e ngre flamurin e futbollit të vajzave në një tjetër nivel.

Në fazën e grupeve, pavarësisht se nuk mundën të kalonin më tej, ato u përballën me ekipe prestigjoze evropiane si Real Madrid, PSG dhe Chelsea.

Legjionarët

Edhe për lojtarët kuqezi, viti 2022 nuk është se ka sjellë ndryshime për mirë. Shumë prej tyre nuk kanë pasur një ecuri të mirë në karrierë.

Armando Broja bëri lëvizjen e shumëpritur. Pas huazimit te Southampton në sezonin e kaluar, sulmuesi kuqezi u vendos që të luante për Chelsea-n këtë sezon. Mirëpo, minutat në dispozicion për të kanë qenë të pakta dhe ai ka shënuar vetëm një gol në Premier League.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Broja u dëmtuar gjatë një miqësore disa ditë më parë dhe iu nënshtrua operacionit, duke humbur pjesën e mbetur të sezonit. Ai nuk do të jetë as në dispozicion të kombëtares kuqezi për ndeshjen kualifikuese për Euro 2024 gjatë muajit mars 2023.

Keidi Bare është gjithashtu një tjetër lojtar kuqezi i pafat për 2022. Mesfushori i Espanyol ka pësuar disa dëmtime gjatë këtij viti. Por më i fundit ishte gati fatal për sezonin.

Fieraku u dëmtua gjatë një ndeshje të Kupës së Spanjës dhe iu nënshtrua operacionit, pasi kishte këputur ligamentin e këmbës. Edhe për të sezoni duket se ka përfunduar.

Dëmtime ka pasur edhe për qendërmbrojtësin, Berat Djimsiti, i cili është ndalur në vetëm pesë paraqitje në Serie A këtë sezon.

Ndërsa, qendërmbrojtësi tjetër kuqezi, Marash Kumbulla nuk preferohet nga trajneri Jose Mourinho. Ai është paraqitur vetëm në 49 minuta këtë sezon. Po të njëjtin problem ka dhe portieri, Thomas Strakosha te Brentford, duke mos luajtur asnjë ndeshje në Premier League deri më tani.

Kristjan Asllani bëri lëvizjen e madhe në karrierë gjatë verës, teksa la Empoli-n për tu bashkuar me gjigandët e Inter-it. Mesfushori deri më tani nuk ka pasur shumë hapësira, duke qenë se në vendin e tij aktivizohet një lojtar i kalibrit të lartë si Marcelo Brozovic. Megjithatë, mesfushori nga Elbasani ka arritur të kryeje 12 paraqitje midis Serie A dhe Champions League.

Myrto Uzuni mund të thuhet me plot bindje se është lojtari shqiptar me formën më të mirë për momentin. Beratasi aktivizohet te Granada ne ligën e dytë spanjolle.

27-vjeçari kaloi në janar të këtij viti nga hungarezët e Ferencvaros te spanjollët, por në fund të sezonit e pa veten duke rënë nga kategoria, pra nga La Liga.

Mirëpo, ecuria e tij në sezonin aktual në La Liga 2 ka qenë tepër e mirë. Sulmuesi ka realizuar 11 gola dhe dy asistime në 20 paraqitje.

Përsa i përketë pjesës tjetër të lojtarëve kuqezinj, kanë pasur një vit me ulje-ngritje, por shkëlqimet kanë qenë gati sporadike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore