Shqipëria

20 vdekje nga Covid-19/ Ulet numri i rasteve të reja


Gjatë 24 orëve të fundit 20 persona kanë humbur betejën me coronavirusin dhe kanë rezultuar pozitivë 916 qytetarë në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), shtatë qytetarë janë nga Tirana, katër nga Durrësi, dy nga Elbasani, Kurbini, Saranda, një nga Shkodra, Lushnja, dhe nga Vlora. Këta persona i përkasin grupmoshës 56-76 vjeç.

Ditën e sotme janë vaksinuar 1 mijë e një qytetarë. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 11 mijë e 136 vaksina anti-Covid. Procesi i vaksinimit ka vijuar në tre qendrat e vaksinimit në Tiranë, Shkodër, Vlorë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në spitalet rajonale Shkodër, Durrës, Elbasan, janë duke u trajtuar 625 pacientë. 46 pacientë janë në terapi intensive nga të cilët 12 janë të intubuar.

Janë kryer 3 mijë e 689 testime dhe janë shëruar 849 qytetarë.

Nga raporti shihet se gjatë kësaj dite ka pasur një numër të lartë të vdekjeve, që nga shfaqja e coronavirus-it. Gjithashtu shihet se rastet e reja kanë pasur një ulje.

Po ashtu gjatë kësaj jave shihet një rritje e rasteve të pacientëve që janë në terapi intensive.

Kujtojmë se më 25 shkurt u mblodh Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku deklaroi se mbeten në fuqi masat që u morën më 11 shkurt për parandalimin e coronavirus-it. Është vendosur ora policore nga 20:00-06:00. Kjo masë është shoqëruar gjatë këtyre javëve, me rritjen e gjobave për personat apo subjektet që shkelin ligjin.

Prandaj, Ministria ka bërë sërish thirrje që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore