Lajme

2 vdekje të dyshimta në Gardën Revolucionare Islamike


Dy burra, të cilët punonin në industrinë e hapësirës ajrore të Iranit, kanë humbur jetën në incidente të veçanta, ndërsa ishin në detyrë.

Kjo, sipas mediave shtetërore iraniane.

Dega elitare e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në provincën Markazi në një deklaratë, të transmetuar nga media iraniane, njoftoi se Ali Kamani, anëtar i divizionit të hapësirës ajrore të IRGC-së që punon në Khomein, u vra në një “aksident me makinë”, ndërsa ishte në një mision të paspecifikuar.

Më pas, uebfaqja gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, e lidhur me IRGC, raportoi se një tjetër punëtor i hapësirës ajrore, një 33-vjeçar i quajtur Mohammad Abdous, kishte vdekur gjithashtu gjatë misionit.

Ministria e Mbrojtjes e Iranit më vonë shpjegoi se Abdous punonte për ministrinë.

Etiketimi i të dy vdekjeve si “martirizma” ndoshta tregon se Irani beson se burrat janë vrarë.

Nuk u publikuan detaje për vdekjen e Abdous, përveçse ai ndërroi jetë të dielën në provincën veriore të Semnanit.

Vdekje të dyshimta

Kamani dhe Abdous janë të fundit, në një varg vdekjesh misterioze që kanë ndodhur në javët e fundit.

Një prej tyre, kolonel i Forcës Quds të IRGC, Ali Esmaeilzadeh, u raportua nga media shtetërore se kishte vdekur në një aksident në fillim të këtij muaji.

Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Tasnim, e cila është e afërt me IRGC-në, hodhi poshtë pretendimet e një kanali televiziv opozitar iranian me bazë në Londër se Esmaeilzadeh ishte eliminuar nga IRGC për dyshimin e përfshirjes në vrasjen e një koloneli tjetër më 22 maj.

Tasnim e përshkroi pretendimin si “luftë psikologjike dhe trillim lajmesh” dhe tha se ai ra nga ballkoni i pasigurt i shtëpisë së tij.

Më 31 maj, një inxhinier i hapësirës ajrore, i quajtur Ayoob Entezari, vdiq në rrethana të dyshimta.

Mediat izraelite, të cilat pretendonin se Entezari kishte punuar në programet e raketave dhe dronëve të Iranit, tha se ai ishte helmuar në një darkë dhe se mikpritësi ishte larguar nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore