Financa

2 miliardë lekë rritja e eksportit me Gjermaninë


Referuar shifrave të Institutit të Statistikave (INSTAT), eksportet drejt Gjermanisë për vitin 2020-të kanë kapërcyer nivelin e vitit të kaluar me 2 miliardë lekë më shumë.

Në total, në periudhën janar-nëntor të vitit 2020, Shqipëria ka eksportuar në Gjermani mallra në vlerën e 15.1 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2019-të eksportet ishin 13.1 miliardë lekë.

Ndikimin më të madh në këtë rritje të eksporteve shqiptare rezultojnë ta kenë grupmallrat si: ushqim, pije e duhan me 126 milionë lekë më shumë, minerale e lëndë djegëse me 530 milionë më shumë, tekstilet dhe këpucët me 1.1 miliardë më shumë dhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit me 300 milionë lekë më shumë.

Mallrat shqiptare nuk po rikuperojnë ende plotësisht me shtetin e Italisë dhe Spanjën, dy partnerë shumë të rëndësishëm tregtarë.

Nga grupi i tekstileve dhe këpucëve, që janë grupi më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare, mungojnë 14.7 miliardë krahasuar me një vit më parë nga eksportet me Italinë dhe 1.2 miliardë lekë më pak krahasuar me eksportet e një viti më parë me shtetin e Spanjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore