Kosova

185 mjekë janë larguar nga Kosova


Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se 185 mjekë janë larguar deri më tani nga Kosova drejt vendeve të ndryshme evropiane.

Ai për Ekonomia Online ka thënë se parashikimet e OMK-së që deri në fund të vitit do të largohen 200 mjekë, mund të tejkalohet.

“Momentalisht nuk mund të krijojë problem, por se pas pesë vitesh, gjithsesi se po sepse këta është dashur të na zëvendësojnë neve që largohemi”, u shpreh Sejdiu.

Sipas Sejdiut, Projektligji i Pagave do ta ulte sado pak këtë numër.

“Me siguri që po. Sepse në sondazhe si arsye po del të jetë edhe paga e ulët. Pra me këto paga nuk shohin perspektivë”.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën.

Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Largimi i mjekëve nga Kosova, Kurti: Shifrat po fryhen, realiteti është ndryshe 

Por, më 7 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.

Sipas tij shifrat dhe përshtypja që po krijohet janë më të fryra se sa realiteti, kur fjala bie për largimin e profesionistëve shëndetësor.

“Nuk po them që ka mjek që nuk po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali në shëndetësi të jetë për mjekët që po shkojnë sepse nuk reflekton realitetin”, kishte thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës sipas të parit të ekzekutivit po angazhohet për t’i mbajtur punëtorët shëndetësorë në vendet e tyre të punës.

“Një pjesë e tyre kalojnë edhe në sektorin privat, disa shkojnë jashtë vendit, megjithatë besoj që shifrat edhe përshtypja që krijohet janë më të fryrë se sa realiteti. Spitalet, qendrat e mjekësisë familjare janë të mbushur me mjek të devotshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore