Lajme

180 gjoba dhe 60 lokale të mbyllura për një javë në gastronomi


180 gjoba dhe 60 lokale të mbyllura është bilanci i javës që lamë pas në gastronomi. Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës nga inspektimet që kanë kryer nëpër lokale ka rezultuar se nuk janë respektuar mjaftueshëm masat anti-covid të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë për Albanian Post se në javën e kaluar janë mbyllur edhe lokale që kanë kryer shkelje të vazhdueshme të masave, ose recidivistwt.

“Si shkelës recidiv janë mbyllur rreth 60 lokale”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka sqaruar se gjobat në gastronomi janë shqiptuar edhe për organizimin e iftareve, duke tejkaluar numrin maksimal të personave brenda një lokale në proporcion me hapësirën për metër katrorë.

“Nëse është tejkaluar numri i katër personave në tavolinë dhe distanca e ulëseve mes tavolinave të ndryshme ku nuk është respektuar së paku një metër dhe në lokalet që kanë shërbyer klient në këmbë janë shqiptuar gjoba”, ka shtuar Thaçi.

Sipas tij, aty ku nuk janë zbatuar pikat e vendimet të Qeverisë inspektorati ka shqiptuar gjoba, po ashtu janë njoftuar që masa tjetër do të jetë mbyllja.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si organ mbikëqyrës ligje zbatues është e vendosur që asnjë shkelje mos ta tolerojnë”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se vendosmëria në mbikëqyrje të rreptë dhe vet respektimi i masave nga qytetarët dhe bizneset ka ndikuar në rënie të të infektuarve.

“Kjo duhet të vazhdojë që të kemi ekonomi të hapur dhe situata me pandemi të mbahet nën kontroll”.

Kujtojmë se sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nga 1.312 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren kanë rezultuar 75 raste pozitiv me Covid-19. Ndërsa numri total i rasteve pozitive është 105.711 raste nga 543.074 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.191 raste të vdekjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore