Lajme

18 vjet nga trazirat e marsit të vitit 2004


Trazirat e marsit të vitit 2004

17 marsi shënon tetëmbëdhjetë vjetorin e trazirave të marsit të vitit 2004.

Këto trazira që zgjatën disa ditë, kishin filluar pasi që dy fëmijë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht në fshatin Çabër, ishin mbytur në lumin Ibër. Disa fëmijë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga disa serbë të fshatit afër që u kishin mësy edhe disa qenë, duke ikur, dy fëmijë kishin humbur jetën në lum.

Gjatë këtyre trazirave u vranë 19 persona, 12 prej tyre shqiptarë.

Trazirat kishin përfshi thuajse tërë territorin e Kosovës, ndërsa ishin Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVK), Administrata e Kombeve të Bashkuara që menaxhonte Kosovën (UNMIK) dhe trupat e paqeruajtëse të Aleancës Veri Atlantike në Kosovë (KFOR), ato që u angazhuan fuqishëm për menaxhimin e situatës e cila kishte dalë nga kontrolli.

Konflikti ishte ndër etnik mes shqiptarëve dhe serbëve, këta të fundit të mbështetur nga strukturat paralele të krijuara në Kosovë dhe të mbështetura nga Serbia.

Gjatë protestës së 17 marsit të vitit 2004 -Mitrovicë

Si rezultat i trazirave, ishin shkatërruar disa objekte fetare, përkatësisht disa Kisha, shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse.

Ngjarje të ngjashme ndodhen me shtëpitë shqiptare në pjesët e banuara me shumicë serbe. Serbët u hakmorën edhe me djegien e disa xhamive në Serbi.

Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPVK) nën drejtimin e kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, kishin marrë përsipër renovimin dhe mbrojtjen e objekteve fetare në tërë territorin e Kosovës.

Serbët protestues duke djegur flamurin shqiptarë në Mitrovicë (17 mars 2004)

Me këto trazira u arrit të kuptohet se gjendja në Kosovë nuk mund të përmirësohet pa zgjidhjen e statusit përfundimtar.

Kështu, Sekretari Gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën diplomatit norvegjez, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë.

Në tetor të vitit 2005, Eide dorëzoi raportin në të cilën rekomandohej se ka ardhur koha për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtarë të Kosovës.

Administrata e UNMIK-ut në Kosovë nuk kishte “gjetur” prova se serbët ishin përgjegjës për mbytjen e dy fëmijëve shqiptarë.

Në shënim të kësaj dite, në Kosovë po qëndron drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ku do të vizitojë qytezën e Graçanicës, për të bërë propagandë, nën atë që ata e quajnë “ditën e pogromit”, por që në fakt bëhet fjalë për trazirat e marsit të vitit 2004.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore