Lajme

15 të akuzuarit për mashtrim me viza në rastin Ukë Rugova II deklarohen të pafajshëm


Gjykata Themelore në Prishtinë.

15 të akuzuarit për mashtrim me viza në rastin Ukë Rugova II, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen në barrë, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, janë deklaruar të pafajshëm, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.

Prokurorja Florije Shamolli dhe mbrojtësit e të akuzuarve, kanë deklaruar se qëndrojnë pranë fjalëve hyrëse të dhënë para një trupi tjetër gjykues.

Gjykatësi, Kujtim Krasniqi, seancën e radhës e ka caktuar më 25 maj të vitit 2022.

Ky rast ishte duke u gjykuar nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Tutje, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), është ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore