Lajme

128 milionë euro mallra të eksportuara nga Kosova gjatë dy muajve të fundit


Ilustrim

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se 128 milionë euro mallra janë eksportuar nga Kosova në dy muajt e fundit.

Sipas tij, krahasuar me vitin e kaluar kur ishin eksportuar 96 milionë euro, është shënuar rritje për 40 për qind.

“Nëse krahasohen periudhat janar-shkurt të vitit 2021 dhe janar-shkurt të vitit 2022 ne e vërejmë që kemi edhe këtë dy muajt e parë edhe përkundër që viti 2021 ka qenë viti ndoshta më i mirë i eksportit ku kemi tejkaluar rreth 700 milionë euro mallra të eksportuara”, tha Stavileci për EO.

Adriatik Stavileci

“Këta dy muaj e parë kemi eksport prej 128 milionë euro që në krahasim me 96 milionë të vitit të kaluar që kanë qenë për janar-shkurt ka një rritje rreth 40 për qind të mallrave të cilat janë duke u eksportuar nga Kosova drejt vendeve të tjera”.

Ai ka theksuar “kryesisht produktet të cilat importohen në aspektin e vlerës në Kosovë janë derivatet të cilat sjellin më së shumti të hyra, pastaj vijnë industria e automjeteve në përgjithësi dhe industria e duhanit”.

“Këto janë tri produktet që sjellin më së shumti të hyra dhe kanë më së shumti vlera në fazat e importit. Importi i përgjithshëm gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur rreth 4.6 miliardë euro mallra të importuara në tërë territorin e Kosovës. Do të thotë kemi pasur lloje të ndryshme të mallrave të cilat janë futur në Kosovë”.

Stavileci ka sqaruar se trendi i mallrave të importuar ka mbetur i njëjtë, përveç që është vërejtur dallim në vlerë për shkak të rritjes së çmimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore