Lajme

120 kg uranium është pasuruar në masën 20% nga Irani, marrëveshja me SHBA sërish në rrezik


Irani ka pasur më shumë se 120 kilogramë uranium në masën 20%, shumë më shumë se sa sasia e dakordësuar në marrëveshjen e vitit 2015 me SHBA-të, duke çuar – sërish – në ngërç bisedimet për rikthimin në marrëveshje, pas daljes që i bëri ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Lajmin për sasinë e pasuruar, e bëri me dije shefi i energjisë bërthamore në Iran, Mohammad Eslami.

Shefi i energjisë bërthamore në Iran, Mohammad Eslami

“Kemi edhe më shumë se sa ajo shifër”, theksoi Eslami. “Njerëzit tanë e dinë se perëndimorët duhet të na jepnin uranium 20% për ta përdorur në reaktorët e uzinës. Ata nuk e bënë këtë gjë, ndaj morëm masa”.

Fillimisht, në vitet ’60, Irani furnizohej nga SHBA-të me produktin për reaktorin e tyre bërthamor. Kjo gjë e ndihmonte Iranin me prodhimin e radioizotopeve, të cilët përdoreshin në mjekësi dhe agrikulturë.

Uzinë bërthamore në Iran

Në mënyrë autonome, Irani filloi prodhimin e uraniumit 20% në vitin 2012.

Vetëm në shtator 2021, nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, u raportua se Teherani mund të kishte filluar të pasuronte një sasi të madhe uraniumi. Më pas u zbulua se në maj, nga 62.8 kilogramë, sasia e uraniumit 20% kishte shkuar në 84.3 kilogramë.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015, pasurimi nga ana e Iranit, nuk duhet të shkonte mbi 3.67%. Në këmbim, do të kishte një lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare ndaj tyre.

2015-2018

Nën udhëheqjen e Barack Obamës, në vitin 2015, SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje bërthamore, me garantë të saj vende si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia, Kina.

Tryeza për marrëveshjen SHBA-Iran, 2015

Dy pikat thelbësore, ishin ulja e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe heqja e disa sanksioneve perëndimore ndaj republikës islamike.

Marrëveshja do të funksiononte për tre vjet. Por, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit, Donald Trump, rrjedha e ngjarjeve do të ndryshonte.

Vetëm një vit pas marrjes së postit, në 2018-ën, Trump e tërhoqi Amerikën nga pakti. Ai riktheu sanksione të fuqishme ndaj Iranit dhe zyrtarëve të lartë atje. Një luftë e vërtetë diplomatike nisi mes dy vendeve.

Aq, sa paramendohej se mund të kishte një konflikt real midis dy shteteve historikisht rivale.

Tonet e ashpra vijuan deri në ndërrimin e pushtetit në SHBA. Në janar 2021, Joe Biden u bë president. Faqja e diplomacisë amerikane, ktheu rrjedhë.

Zotimi i qartë: Vëmendja jonë është marrëdhënia e mirë me çdo shtet të botës.

Në çështje, ishte edhe rikthimi i mundshëm i Washingtonin në marrëveshjen e 2015-ës. Mirëpo, bisedimet, pas edhe një krize të madhe mes dy vendeve, nuk ishin të thjeshta.

Të njëjtët aktorë që u bënë “dëshmitarë” të marrëveshjes, filluan angazhimin për nisjen e tryezave të përbashkëta të ndërmjetësuara.

Tryezë e thirrur nga ndërkombëtarë në Vienë, për të rikthyer SHBA-Iran në marrëveshje

Një e tillë nuk është arritur ende. Gjithsesi, ka pasur nuanca dhe përpjekje, me tryeza të veçanta komunikimi mes partnerëve dhe dy vendeve të përfshira drejtpërdrejt.

Pushteti në Irani ndërroi po ashtu fytyrë këtë vit. Ebrahim Raisi u bë president, dhe pikëpamjet e tij janë edhe më radikale ndaj amerikanëve, në krahasim me paraardhësin, Hassan Rouhani.

Mbetet për t’u parë nëse zhvillimi i fundit i pasurimit të uraniumit nga ana e Teheranit, do të sjellë një ulje të mundshme në tryezë të dy palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore