Lajme

12 vende evropiane kanë thyer rekordet e temperaturave për vitin 2022


Në vitin 2022, 12 vende evropiane kanë thyer rekordet mujore të temperaturës pasi kontinenti regjistroi verën më të nxehtë ndonjëherë.

Në një analizë të “The Guardian”, nga 27 vende evropiane, 12 kanë regjistruar anomalinë më të lartë të temperaturës për të paktën një muaj në vitin 2022.

Në secilin rast, anomalitë ishin më shumë se 1.9 gradë Celsius mbi temperaturën mesatare të regjistruar midis vitit 1991 dhe 2020 për të paktën një muaj.

Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike Copernicus (C3S) ka nxjerrë të dhëna që tregojnë se Evropa ka regjistruar vitin e dytë më të ngrohtë rekord dhe verën më të nxehtë ndonjëherë.

Rritjet më të larta të temperaturave janë regjistruar në fund të verës, në tetor dhe dhjetor.

Në Austri, mesatarja gjatë tetorit 2022 ishte 3.3 gradë Celsius më e ngrohtë se temperatura mesatare e tetorit e regjistruar midis vitit 1991 dhe 2020.

Po ashtu Franca dhe Sllovenia kanë regjistruar anomali të temperaturës prej 3 gradë Celsius ose më shumë atë muaj. Edhe Kroacia me Greqinë kanë përjetuar gjithashtu temperatura prej 3 gradë Celsius në dhjetor.

Sakaq, Italia ka qenë më e ngrohtë se mesatarja, përveç dy muajve të vitit. Vendi ka regjistruar anomalinë më të lartë të temperaturës mujore për tre muaj të ndryshëm, në maj, tetor dhe dhjetor.

Kurse Spanja dhe Portugalia kanë thyer rekordet për anomali mujore në tre raste të ndryshme.

Evropa veriore dhe perëndimore ka përjetuar valë të nxehta të zgjatura dhe intensive gjatë vitit. Pjesa më e madhe e kontinentit ka duruar thatësirën dhe emetimet e zjarreve të verës ishin në nivelin më të lartë për 15 vjet.

Viti 2022, në nivel global, ka qenë viti më i ngrohtë, me tetë vitet e fundit më të ngrohtët e regjistruar, sipas Copernicus. Temperatura mesatare globale në vitin 2022 ishte 1.2 gradë Celsius më e lartë se mesatarja gjatë periudhës së referencës 1850-1900.

Por rritja e temperaturës nuk ka qenë uniformë në të gjithë botën. Megjithatë, temperaturat kanë qenë shumë më të larta në hemisferën veriore, veçanërisht në Arktik dhe Evropë.

Temperaturat po rriten dy herë më shpejt se mesatarja globale në Evropë dhe katër herë më shpejt në Arktik.

Mesatarisht, temperaturat globale kanë qenë 1.2 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1850-1900 në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore