Lajme

12 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, përfshirë tre udhëheqës të grupeve të armatosura


Të paktën 12 persona janë vrarë në ato që forcat izraelite thanë se ishin sulme ajrore ndaj anëtarëve të lëvizjes palestineze të Xhihadit Islamik (PIJ).

PIJ ka njoftuar se tre nga udhëheqësit e saj – Jihad al-Ghannam, Khalil al-Bahtini dhe Tariq Izz al-Deen – u vranë në sulmet izraelite së bashku me gratë e tyre dhe disa fëmijë.

Sipas IDF-së, Bahitini ishte komandanti më i lartë operacional në PIJ dhe ishte përgjegjës për lëshimin me raketa drejt Izraelit në muajin e kaluar.

Po ashtu – gjithmonë sipas izraelitëve – ai po planifikonte sulme të mëtejshme me raketa në të ardhmen e afërt.

Ghanem ishte një nga operativët më të vjetër dhe veteran në lëvizje dhe shërbeu në një moment si komandant i Brigadave al-Quds në Rripin jugor të Gazës.

Në pozicionin e tij të fundit, Ghanem ishte përgjegjës për koordinimin e transferimit të fondeve dhe armëve nga PIJ në Hamas.

IDF i kreu sulmet në tre vende të veçanta njëkohësisht me 40 avionë luftarakë, helikopterë dhe avionë të tjerë.

Ndër një sërë masash të tjera, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka miratuar thirrjen e rezervave sipas nevojës nga IDF dhe Kabineti i Sigurisë do të mblidhet të martën në mbrëmje në orën 19:00.

Ushtria izraelite ka këshilluar banorët izraelitë të komuniteteve brenda 40 km nga Gaza që të qëndrojnë pranë strehimoreve të përcaktuara.

Javën e kaluar, raketat izraelite goditën Rripin e Gazës pas raketave të lëshuara drejt Izraelit si pasojë e vdekjes së grevistit të njohur palestinez Khader Adnan.

Xhihadi Islamik Palestinez u themelua në vitin 1981 me qëllim të krijimit të një shteti palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar, Gaza dhe zona të tjera të asaj që tani është Izraeli.

Ndryshe nga Hamasi, PIJ refuzon të bashkohet me zgjedhjet dhe duket se nuk ka ambicie për të formuar një qeveri në Gaza ose Bregun Perëndimor.

Si Hamasi, i cili ka zhvilluar pesë luftëra me Izraelin që nga viti 2009, ashtu edhe PIJ janë renditur si “organizata terroriste” nga Perëndimi.

Të dy marrin fonde dhe armë nga Irani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore