Shqipëria

115 milionë euro investime për modernizim dhe rritjen e konkurrueshmërisë në bujqësi, tha Krifca


Nëpërmjet politikave të qarta për modernizim dhe rritje të konkurrueshmërisë, janë orientuar rreth 115 milionë euro investime duke mbështetur me grant modernizimin e sektorit përgjatë 5 viteve të  fundit, njoftoi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, në një takim mes ekspertësh shqiptarë e të huaj në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.

I pranishëm në takim ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në fjalën e saj, Krifca tha se nga 115 milionë euro, 46 milionë euro investime kanë shkuar në drejtim të teknologjisë dhe inovacionit në ferma dhe përpunim.

“Rreth 27 milionë euro janë vënë në dispozicion të ndërtimit të sistemeve përpunuese me teknologji të larë ftohëse, ruajtëse frigoriferike dhe seleksionuese të produkteve bujqësore. Duke futur për herë të parë mbështetjen për eficencë energjetike me panele fotovoltaike, të cilat kanë reduktuar me rreth 30 deri ne 50% faturën mujore të energjisë elektrike për këto aktivitete agropërpunuese”.

Ministrja Krifca gjithashtu shtoi se bujqësia dhe blegtoria sot përballet me peshën e një lufte që ka ndikuar në rritjen e çmimeve dhe shkëputjen e hallkave të zinxhirit ushqimor.

Megjithatë, shtoi ministrja, bujqësia shqiptare përballet sot me imperativin e domosdoshëm për të përqafuar teknologjinë, inovacionin, dijen dhe njohurinë si mënyra e duhur për të siguruar konkurrueshmëri.

“Jemi të vetëdijshëm që detyra nuk është e lehtë sepse bujqësia shqiptare ruan në strukturën e saj pesha të të shkuarës të cilat e bëjnë më të vështirë integrimin e sistemeve mekanike apo të novacionit në sektor, ku      mjafton të përmendim fragmentimin e tokës si një ndër sfidat e prodhimit. Ne na duhet të gjejmë zgjidhje konsideruar këtë strukturë dhe këto sfida.

Dhe përpjekjet mund të bëhen për të konsoliduar fermën blegtorale, për  të ulur kostot e prodhimit, rritur eficiencën dhe rendimentin si në blegtori ashtu dhe në bujqësi nëpërmjet mekanizimit, teknologjisë dhe inovacionit”.

Ministrja bëri me dije se në bashkëpunim me BERZH po ndërtohet një portal në dispozicion të      fermerëve dhe agrobizneseve me të dhëna për mundësitë e financimit,  transparencë për politikat, ofrimin e informacioneve lidhur me tregun dhe prodhimin në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore