Sport

110 vite pritje për derbin bask në finalen e Kupës mes Bilbao-s dhe Sociedad-it


Athletic Bilbao dhe Real Sociedad-i do të ndeshen ditën e shtunë, në finalen e Kupës së Mbretit të edicionit 2019/20. Finalja ishte shtyrë me një vit, pasi duhet të ishte luajtur vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë së koronavirusit u anulua.

Duke filluar nga ora 21:30 në “La Cartuja” të Sevilias do të fillojë ndeshja e finales së Kupës së Mbretit. Bilbao ndërkohë, më 17 prill do të ketë një tjetër finale të Kupës së Mbretit, atë përballë Barcelona-s, në kuadër të këtij sezoni.

Bilbao ka qenë 39 herë në finale të Kupës në Spanjë, nga të cilat 23 herë e ka fituar trofeun. Vetëm Barcelona ka më shumë tituj të Kupës se Bilbao, 30 të tillë. Sociedad-i ka qenë tetë herë në finale, prej të cilave ka fituar dy trofe.

Finalja e fundit mes dy ekipeve në Kupën e Mbretit është luajtur në vitin e largët 1910. Plot 110 vite më parë. Ndeshje ka përfunduar me rezultatin 1-0 për Bilbao-n, me golin e Remigio Iza-s, në minutën e 56 të takimit.

Kupa e Mbretit nisi të luhej në 1903 dhe ishte pikërisht Bilbao që fitonte edicionin e parë të kësaj kupe. Ndërsa, Sociedad-i trofeun e parë të Kupës e fitoi në 1909.

Finalja e fundit e Bilbao-s në kupë ishte në edicionin 2014/15, përballë Barcelona-s, e humbur me rezultiatin 3-1. Sociedad-i finalen e fundit e ka luajtur në sezonin 1987/88, të cilen e ka humbur përballë Barcelona-s.

Bilbao dhe Sociedad-i në pesë ndeshjet e fundit me njëra-tjetrën në të gjitha garat, numërojnë, një fitore për Bilbao-n dhe katër për Sociedad-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore