Lajme

11 ukrainase të arrestuara në Dubai për “shthurje publike”


Një grup femrash i arrestuar në Dubai po akuzohet për shthurje publike pas një fotosesioni nudo.

Pamjet video të postuara në internet tregojnë një grup grash të zhveshura që fotografohen në një ballkon.

Konsullata ukrainase ka deklaruar për agjencinë mediatike BBC se 11 shtetase nga Ukraina janë midis të arrestuarve. Gjithashtu mediat ruse përmendin edhe një rus të arrestuar për të njëjtën akuzë, raporton BBC.

Akuza për shthurje publike mbart një dënim deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 1 mijë e 357 dollarësh.

Shumë nga ligjet e Emirateve të Bashkuara Arabe bazohen në ligjin e Sheriatit. Në të kaluarën shumë njerëz janë burgosur për shfaqje publike të dashurisë dhe marrëdhënieve homoseksuale.

Afërsisht një duzinë gra u fotografuan në një ballkon në lagjen Marina, të Dubait.

Konsulli ukrainas ka bërë me dije se do t’i vizitojë gratë të martën.

Raportet e mëparshme në mediat ruse se tetë gra ruse u arrestuan për këtë ngjarje janë mohuar, por agjencia e lajmeve Ria citoi zyrtarë të thoshin se rusi që organizoi xhirimin është arrestuar.

Ai përballet me 18 muaj burg, shkruan agjencia.

Policia në Dubai paralajmëroi se kushdo që boton materiale pornografike ose ndonjë material që “mund të fyejë moralin publik” përballet me burg dhe gjobitje.

“Sjellje të tilla të papranueshme nuk pasqyrojnë vlerat dhe etikën e shoqërisë Emirate,” thuhej në një deklaratë të policisë.

Çdo person që jeton ose viziton Emiratet e Bashkuara Arabe u nënshtrohet ligjeve të saj, kjo nuk përjashton turistët.

Ka pasur disa raste të turistëve që janë arrestuar ndërsa ishin me pushime në Dubai.

Në vitin 2017, një grua britanike u dënua me një vit burg për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një burrë me të cilin nuk ishte e martuar. Marrëdhënia doli në dritë kur gruaja e raportoi ish-partnerin tek autoritetet për marrje të mesazheve kërcënuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore