Lajme

11 shtete anëtare të BE-së nuk e kanë arritur qëllimin prej 70 % të vaksinimit



Teksa më shumë se 70 për qind e popullsisë së rritur është vaksinuar plotësisht, thuajse gjysma e shteteve anëtare kanë mbetur prapa në fillimin e fushatave të tyre të vaksinimit, në veçanti Bullgaria dhe Rumania.

Faqja e lajmeve, “The Brussels Times”, tregon se situata është shqetësuese edhe në disa nga vendet kandidate në zonën e afërt të BE-së, ku fushatat e vaksinimit ishin planifikuar të fillonin njëkohësisht me vendet anëtare.

Kjo falë granteve nga Komisioni për financimin e vaksinave të COVID-19 të prokuruara nga BE-ja teksa prisnin qasjen në vaksina nën nismën COVAX të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zëdhënësit e Komisionit Evropian, të pyetur nga “The Brussels Times” në konferencën e së premtes së 10 shtatorit nëse BE-ja duhet të mbështesë ato shtete anëtare që luftojnë me problemet logjistike dhe hezitimin e lartë të vaksinave, ata kanë sqaruar se politika e Komisionit nuk ka ndryshuar.

“Përgjegjësia jonë është të japim dozat e vaksinës, diçka që është bërë me sukses, por anëtarët janë përgjegjës për shpërndarjen dhe udhëheqjen e fushatave të vaksinimit”, kanë vijuar zëdhënësit.

Ndërkohë, kanë ravijëzuar se Komisioni se qëndron në anën e tyre dhe po jep mbështetje logjistike në formën e prokurimit të përbashkët të vaksinave dhe mbështetje politike në formën e vizitave nga Stella Kyriakides, Komisionere për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit.

Ajo ka deklaruar më 31 gusht, kur Komisioni njoftoi se 70 për qind e popullsisë së rritur në BE është vaksinuar plotësisht, se “përpjekjet tona për të rritur më tej vaksinimet në të gjithë BE-në do të vazhdojnë pa u ndalur. Ne do të vazhdojmë të mbështesim në veçanti ato shtete anëtare që po vazhdojnë të përballen me sfida”.

Mirëpo, kjo mbështetje duket se është e kufizuar në informacion dhe komunikim mbi avantazhet e marrjes së vaksinave të sigurta dhe efektive të miratuara nga Agjencia Mjekësore Evropiane (EMA).

Përpos kësaj, në fund të gushtit, Komisioni vlerësoi arritjen e qëllimit të vaksinimit edhe para se të përditësoheshin dhe publikoheshin shifrat zyrtare nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe pa asnjë mohim në lidhje me besueshmërinë e shifrave.

Këto shifra të ECDC-së, të paraqitura te Gjurmuesi i Vaksinave, bazohen në të dhënat e raportuara nga shtetet anëtare dy herë në javë në Sistemin Evropian të Mbikëqyrjes (TESSy) dhe azhurnohen e korrigjohen më vonë.

Nisur nga kjo, ECDC-ja i ka këshilluar përdoruesit të përdorin të gjitha të dhënat me kujdes.

Sidoqoftë, mospërputhja midis shifrave të ECDC-së dhe atyre të përdorura nga Komisioni ishte e vogël.

Prej 10 shtatorit, shumësia e vaksinimit të plotë tek të rriturit mbi 18 vjeç në vendet anëtare të BE-së ishte mesatarisht 70,7 për qind, me 546 milionë doza të administruara nga 658 milionë doza të dhëna.

Sipas “The Brussels Times”, vendet me norma vaksinimi mbi 85 për qind rezultojnë të jenë Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Malta, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Suedia.

Kurse vendet nën pragun e 70 përqindëshit janë Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore