Lajme

11 për qind më pak biznese të regjistruara në tre mujorin e tretë në Kosovë


Ilustrim

Tre mujori i tretë ka shënuar rënie të bizneseve që janë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në tre mujorin e tretë të vitit 2021, janë regjistruar gjithsejtë 2 mijë e 476 biznese.

Krahasuar me tremujorin paraprak kemi një rënie për (-11.8%), të ndërmarrjeve të regjistruara.

“Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2020) ka rënie për (-4.4%) të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në raportin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, në Kosovë aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori kanë qenë tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me gjithsejtë 625 ndërmarrje të regjistruara (25.21%).

“Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 295 ndërmarrje të regjistruara (11.9%), prodhim me 249 ndërmarrje të regjistruara (10.04%), aktivitete të shërbimeve të tjera me 222 ndërmarrje të regjistruara (8.96%), ndërtimtari me 206 ndërmarrje të regjistruara (8.31%)”, thuhet në raport.

Kurse, në kategorinë një me katër të punësuar ishin gjithsejtë 2 mijë e 401 ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor apo 96.8 %.

“Me pesë deri nëntë të punësuar ishin 53 sosh apo (2.1%); me 10 deri në 19 të punësuar ishin 20 ndërmarrje të regjistruara (0.8%), me 20 deri 249 të punësuar ishin tre ndërmarrje të regjistruara (0.1%), ndërsa, në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, ishin dy (2) ndërmarrje të regjistruara”, thuhet tutje në raport.

Ndërmarrjet e regjistruara në nivel të komunave prin Komuna e Prishtinës me 759 ndërmarrje të regjistruara (30.6%), pastaj Komuna e Prizrenit me 190 ndërmarrje të regjistruara apo (7.6%).

“Ferizaj me 188 ndërmarrje të regjistruara (7.5%); Fushë Kosova me 140 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); Peja 134 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); Gjilani me 124 ndërmarrje të regjistruara (5%); Gjakova me 114 ndërmarrje të regjistruara (4.6%)”.

Ndërkaq komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore