Lajme

105 pacientë të shtrirë në spitalin e Gjilanit, drejtori flet për gjendjen e rënduar të institucionit


“Nga gjithsejtë 105 pacientë të shtrirë në spitalin e Gjilanit, në njësitë me COVID-19, 92 raste janë të konfirmuar me Coronavirus ndërsa 75 raste janë me oksigjeno-terapi”, ka thënë për Albanian Post, ushtruesi i detyrës së drejtorit klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismajli.

Sipas tij tashmë janë bërë rreth dy javë prej se kur ka filluar vaksinimi në këtë komunë, “fillimisht i atyre të personelit shëndetësor pastaj edhe të personave mbi moshën 85 vjeç, proces ky që ende është duke vazhduar”.

Edhe pse spitali i Gjilanit konsiderohet si i dyti me radhë, si spitali me më së shumti pacientë të shtrirë, Ismajli ka treguar se në spitalin e Gjilanit deri më tani nuk është ngritur ndonjë rast që ka pasur ndonjë shqetësim serioz pas vaksinimit, qoftë nga stafi mjekësor apo edhe nga personat e moshuar.

“Deri më tani ka pasur vetëm shqetësime të vogla nga personat që janë imunizuar me dozën e parë të vaksinës nga kompania AstraZeneca, shqetësime këto si ethet dhe dhimbjet muskulore”, është shprehur ai.

Sa i përket dhurimit të plazmës konvaleshentë, ai ka sqaruar se plazma jepet vetëm në raste të caktuara dhe nuk dhurohet pa u bërë verifikimi i nivelit të tipit.

“Në përjashtim për personat që kanë simptoma të alergjisë, te të cilët mund të ketë ndonjë reaksion alergjik, për nga ana klinike nuk mund të them se plazma mund të paraqesë ndonjë efekt negativ serioz, prandaj bëhen testimet, verifikimet dhe kompatibiliteti me grupin gjegjës”, shtoi Ismajli.

Sipas tij, nuk ka mundësi që të merret plazma pa u bërë interaksioni në mes plazmës së dhuruesit dhe plazmës së marrësit.

Ndërsa lidhur me masat e reja anti-COVID nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Shëndetësisë, ai thotë se “është ende herët të flasim sepse nuk ka ende të dhëna se si ka rrjedhur situata, megjithatë në Gjilan ka filluar rënia e numrit të rasteve të infektuar dhe atyre që pranohen në spitale”.

Kur Ismajli pyetet për vaksinimin e qytetarëve me vaksinën AstraZeneca, ai thotë që “nuk është e rëndësishme se cila vaksinë është apo nga cila kompani, e rëndësishme është vetëm ta ketë origjinën e prodhuesit dhe të jetë e licencuar”.

Ai po ashtu ka apeluar të gjithë qytetarët që të mbajnë maskën, të mos grumbullohen, të mbajnë distancën dhe higjienën personale.

Ndërkohë, në spitalet e përgjithshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë duke u trajtuar 902 pacientë me COVID-19.

“Sipas raportit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, 735 raste janë të konfirmuara me Sars-COV-2, 37 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 720 janë nën asistim të oksigjeno-terapisë”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Duke u bazuar në këtë raport, në QKUK janë të shtrirë 372 pacientë, ku 317 raste janë të konfirmuara me COVID-19, 14 persona janë në gjendje të rënduar dhe 325 me oksigjeno-terapi.

Në bazë të statistikave të këtij raporti, klinika më e frekuentuar me pacientë të infektuar me Coronavirus është klinika infektive, me gjithsejtë 116 pacientë, kurse në radhë të dytë renditet klinika e Pulmologjisë me gjithsejtë 86 pacientë të infektuar.

“Numri i pacientëve të shtirë, sipas klinikave: klinika infektive, 116 pacientë, klinika infektive II (mjekësia sportive), 80 pacientë, klinika infektive III (interno), 59 pacientë, klinika e pulmologjisë, 86 pacientë, klinika e gjinekologjisë, katër paciente, mjekimi intensiv-COVID-19, 16 pacientë dhe klinika e pediatrisë me 13 pacientë”, njofton SHSKUK.

Ndërkaq në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 530 pacientë, ku 421 raste janë të konfirmuara pozitivë, 23 raste janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 395 raste me oksigjeno-terapi.

Ndërkohë spitali i komunës së Prizrenit spitali më i ngarkuar me pacientë të infektuar me COVID-19, ku gjithsejtë 123 pacientë të shtrirë, duke lënë pas spitalin e Gjilanit me 105 persona të shtrirë.

“Numri i pacientëve të shtrirë, sipas spitaleve të përgjithshme, spitali i Prizrenit me gjithsejtë 123 pacientë, spitali i Gjakovës me 68 pacientë, spitali i Pejës me 99 pacientë, spitali i Gjilanit me 105 pacientë, spitali i Ferizajt me 68 pacientë, spitali i Mitrovicës me 47 pacientë dhe spitali i Vushtrrisë me 20 pacientë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore