Kulturë

100 vite nga dita kur u hapën punimet e Parlamentit të Parë Shqiptar


Arkivi Qendror Shtetëror, në kuadër të 100-vjetorit, ekspozon dokumentet origjinale që ruhen në këtë institucion.

Procesi i parë zgjedhor në Shqipëri zgjati disa muaj. Më 21 prill të vitit 1921 u hapën punimet e Këshillit Kombëtar, parlamentit të parë në Shqipëri, me deputetë të zgjedhur nga populli.

21 prilli i një shekulli më parë ishte ditë e enjte dhe në mbledhjen që nisi në orën 10:00 para dreke, morën pjesë 56 deputetë, që formonin shumicën e deputetëve të ardhur.

Përveç një numri të madh dokumentesh me rëndësi të posaçme për historinë e vendit që lidhen me këtë proces zgjedhor dhe gjithçka rrjedhoi prej tij, në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror mund të gjeni fjalimet e deputetëve që folën në këtë seancë të parë historike që themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.

Që prej kësaj periudhe, parlamenti filloi të shfaqej rregullisht si një organ i dalë nga populli, me detyra të përcaktuara qartë në statutin e kohës.

Zgjerimi që iu bë Statutit të Lushnjës, i cili në histori njihet si statuti i shtetit shqiptar i vitit 1922, e shndërroi këtë akt në një kushtetutë të mirëfilltë me fuqinë më të lartë në shtet dhe sanksionoi plotfuqinë parlamentare.

Organi më i rëndësishëm që ushtronte pushtetin legjislativ, i quajtur “Këshill Kombëtar” mori emrin “Parlament”.

Si organ i vetëm legjislativ, ai përbëhej nga një dhomë deputetësh, të cilët zgjidheshin nga populli në bazë të zgjedhjeve të përgjithshme, votim i tërthortë.

 

Anëtarë të Këshillit Kombëtar (1921) përbëheshin nga:

Rreshti i parë: Llambi Goxhomani, Bahri Omari, Ali Koprëncka, Milto Tutulani.

Rreshti i dytë: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Shefqet Vërlaci, Osman Haxhiu, Ahmet Zogu, Eshref Frashëri, Jusuf Banka, Shyqyri Myftiu, Riza Dani, Irfan Ohri, Petro Harito.

Rreshti i tretë: Shefqet Dajiu, Ali Këlcyra, Kolë Thaçi, Halit Rroji, Banush Hamdi, Qemal Vrioni, Ahmet Astopalli, Ndre Mjeda, Maliq Bushati, Pandeli Cale, Andon Beça.

Rreshti i katërt: Spiro Koleka, Shuk Gurakuqi, Maz’har Këlliçi, Rexhep Mitrovica, Pilo Papa, Agathokli Xhitoni, Leonidha Frashëri, Syrja Pojani, Stavro Vinjau, Patuk Saraçi, Dhimitraq Buda, Ibrahim Xhindi.

Rreshti i pestë: Leonidha Koja, Koço Tasi, Mustafa Kruja, Qazim Kokoshi, Loni Kristo, Bajram Fevzi, Mustafa Maksuti, Qemal Mullaj, Sejfi Vllamasi, Bektash Cakrani.

Kryetar i Këshillit Kombëtar u zgjodh me votim të fshehtë Pandeli Evangjeli dhe në vitin 1922 u zgjodh Eshref Frashëri.

Në këtë të periudhë dalloheshin qartë dy grupime politike: Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli dhe Partia Përparimtare e kryesuar nga Hoxhë Kadriu.

Në fushën legjislative, veprimtaria e Këshillit Kombëtar u përqendrua në nxjerrjen e ligjit për organizimin gjyqësor, në plotësimin e rregullores ekzistuese me elemente të reja për transparencën e veprimtarisë parlamentare, betimin e deputetëve përpara Këshillit etj.

Më 30 shtator të vitit 1923, Këshilli Kombëtar i mbylli punimet e tij në përfundim të legjislaturës dyvjeçare për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të reja për Kuvendin Kushtetues, të cilat u mbajtën në dhjetor të po këtij viti.

Godina, në të cilën u mblodh parlamenti, në vitet 1928-1939 u bë “Pallati Mbretëror” dhe sot është selia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore