Lajme

100 milionë doza në muaj të vaksinës Sputnik V nga konsorciumi korean


Huons Global Co Ltd në Korenë e Jugut, të premten e 16 prillit, tha se do të drejtojë një konsorcium, për të prodhuar 100 milionë doza të vaksinës ruse Sputnik V Covid-19 në muaj.

Ndërkaq, Moska po rrit prodhimin për furnizimet jashtë vendit.

Ky njoftim vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes mes firmës bioteknike të Koresë së Jugut, GL Rapha, me fondin sovran të pasurisë ruse, në fund të vitit të kaluar, për të bërë më shumë se 150 milionë doza të Sputnik V në vit.

Huons tha se konsorciumi do të fillojë prodhimin e grupeve të mostrave në gusht, duke iu përgjigjur me fleksibilitet kërkesave të furnizimit nga Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF).

Konsorciumi përfshin tre kompani të tjera vendore, Prestige BioPharma, Humeix dhe Boran Pharma, të cilat do të ndërtojnë një strukturë të re prodhimi, tha në një deklaratë Huons.

Aksionet në Huons Global u rritën me 29.8%, në kufirin e tyre ditor të tregtisë, mëngjesin e së premtes, përkundrejt një tregu më të gjerë.

Ambasadori i Indisë në Moskë tha të premten se dërgesat e vaksinës ruse së coronavirus-it, Sputnik V në Indi, pritej të fillonin para fundit të prillit, pasi rregullatorët indianë miratuan qëllimin për përdorim të hënën.

Përshtatur për Reuters nga Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore