Sport

10 pyetjet që shpjegojnë më mirë Superligën Europiane


Superliga Europiane është projekti më i ri në futbollin europian, i përbërë nga 12 prej klubeve më të fuqishme në futboll. Projekti, i cili deri më tani nuk ka gjetur mbështetjen e organeve kryesore të futbollit, UEFA dhe FIFA.

Këtë të diel u njoftua krijimi i Superligës dhe më poshtë do të paraqesim 10 pyetje dhe përgjigje, të cilat do të shpjegojnë më mirë projektin e këtij kompeticioni të ri.

1-Kush po e drejton Superligën Europiane?

Janë 12 klube deri më tani pjesë e Superligës. Tre klube janë nga La Liga (Real Madrid, Barcelona, Atletico Madrid), gjashtë klube nga Premier Liga (Manchester City, Manchester United, Liverpool, Arsenal, Tottenham dhe Chelsea) dhe tre klube nga Seria A (Juventus, Inter, Milan).

Tre klube të tjera të mëdha ishin për t’u bërë pjesë e Superligës, Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe PSG, por për momentin nuk kanë pranuar të jenë pjesë e saj.

Ideja fillestare për Superligën është që të jetë me 20 ekipe, nga të cilat 15 do të jenë të përhershme dhe pjesa tjetër do ndryshojë në bazë të rezultateve të arritura.

2-Kush e financon projektin?

Banka amerikane JPMorgan njoftoi të hënën se ka financuar projektin e Superligës. Sipas disa informacioneve, JPMorgan ka rënë dakord të financojë projektin së bashku me Key Capital, një kompani e lidhur me Borja Prado. Prado njihet si bashkëpunëtor i rregullt me Florentino Perez-in, Presidentin e Real Madrid-it.

3-Sa do të përfitojnë klubet e Superligës?

Përafërsisht, vetëm për pjesëmarrje klubet do të përfitojnë rreth 300 milionë euro secila. Kapitali fillestar që do t’u shpërndahet klubeve është 3.5 miliardë euro. Para të cilat klubet do të kenë mundësi t’i investojnë në infrastrukturë dhe rikuperim financiar të shkaktuar nga pandemia.

4-Pse klubet shkojnë në këtë garë?

Arsyeja kryesore që klubet i janë bashkuar projektit, është ajo financiare. Fakti që pjesë e projektit janë më pak klube, por më shumë ndeshje të mëdha, do të rriste interesin për ato ndeshje dhe natyrisht të ardhurat do të ishin më të mëdha.

5-Si do të funksionoje Superliga?

Në përbërje do të jenë 20 ekipe, nga të cilat 15 do të jenë të përhershme. Ekipet do të ndahen në dy grupe me nga 10, që praktikisht do të jenë të gjithë kundër të gjithëve. Ndeshjet do të jenë me sistem vajtje-ardhje dhe gjithsej do të zgjasin 18 ditë.

Të gjitha ndeshjet do të luhen gjatë javës, me qëllim që klubet të mos pengohen që të luajnë në ligat e tyre përkatëse.

Nga vendi i parë deri te vendi i tretë nga secili grup, do të shkojë në çerekfinale. Dy vendet e mbetura do të dalin nga ndeshjet e “play-off” midis vendeve të katërta dhe të pesta te të dy grupet.

Çerekfinalet dhe gjysmëfinalet do të jenë me sistem vajtje-ardhje, ndërsa finalja do të jetë vetëm me një ndeshje.

6-Kur do të zhvillohet?

Zyrtarisht nuk është përcaktuar koha dhe data, por besohet se do të zhvillohet midis gushtit dhe majit. Sezoni i parë pritet të nisë në 2022/’23.

7-Si do të ndikonte në kompeticionet euro dhe në ligat kombëtare?

Klubet pjesëmarrëse të Superligës, mund të vazhdojnë pa problem të marrin pjesë në ligat e tyre përkatëse, sepse Superliga do të luhet gjatë javës. I vetmi problem është se Superliga mund të këtë përplasje me kompeticionet europiane si Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës.

Nëse UEFA mban premtimin e saj, lojtarët e klubeve të Superligës nuk do të jenë në gjendje të luajnë për ekipet e tyre kombëtare.

8-Cilat skuadra të mëdha nuk e mbështesin Superligën dhe pse?

Bayern Munich-u dhe Borussia Dortmund-i të hënën e refuzuan publikisht projektin dhe deklaruan se nuk dëshirojnë të bashkohen. Federata Gjermane e Futbollit e ka quajtur projektin “egoist”.

PSG nuk ka një qëndrim zyrtar ende, por gjasat për ta refuzuar janë të mëdha. Në ndryshim nga klubet gjermane, Bayern-i dhe Dortmund-i, klubi nga Parisi është nën pronësi të sheikëve nga Katari, të cilët janë të lidhur me BeIn Sports, një platformë televizive e cila transmeton kompeticionet e UEFA në shumë vende të botës.

Më herët PSG dhe UEFA kanë pasur përplasje për sa i përket bilancit (Fair Play) financiar, por tashmë gjërat janë rregulluar dhe marrëdhëniet janë përmirësuar.

Klube të tjera të rëndësishme në futboll mund të jenë pjesë e projektit. Këtu futet Ajax-i, Porto, Benfica, Lyon-i, Sevilla, Leipzig-u, apo dhe Napoli. Ekipet duhet të fitojnë kualifikimin për në Superligë, kriteret e të cilit ende nuk dihen.

9-Ku do të jetë selia e organizatës?

Për momentin, nuk është saktësuar ende vendi ku do të jetë selia qendrore e Superligës.

10-Nga cila garë sportive frymëzohet?

Superliga është e ngjashme me Euroligën e basketbollit, ku klubet më të fuqishme përballen me njëra-tjetrën, një format që ndiqet me interes më të madh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore