Shqipëria

1 vit pas vrasjes së Klodian Rashës/ Babai: Mos ma përbaltni djalin


1 vit pas vrasjes së Klodian Rashës në Tiranë, babai i tij, Qazim Rasha, ka kërkuar që të mos përbaltet figura e djalit.

“Kjo tragjedi mos t’i ndodhtë askujt”, u shpreh ai nga memoriali i vendosur në përkujtim të Rashës.

Sipas babait, autoritetet policore për të mbuluar krimin u munduan të përbaltin figurën e djalit të tij.

Familja e Klodianit ishte e pranishme në përkujtimoren që po zhvillohet në sheshin ‘Skëndërbej’.

Vrasja e 25-vjeçarit në lagjen e tij shkaktoi reagime të shumta te qytetarët dhe protesta në disa qytete në vend dhe pas saj ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Klodian Rasha u qëllua për vdekje nga efektivi i Shqiponjave në Laprakë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dritan Hoxha”, rreth orës 01:10, pas mesnate.

Sipas familjarëve, ai kishte dalë nga shtëpia për të blerë një paketë cigare.

Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”. Pas pesë minutash ndjekjeje nga policia, Rasha u qëllua me armë nga Hajdaraj.

Pamjet filmike tё kamerave tё sigurisё treguan se, mes Klodian Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike. Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Hajdaraj e ka parë se Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Fakti i sipërpërmendur si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit, e ka çuar Prokurorinë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici, Nevaldo Hajdaraj.

Në seancën e 26 marsit, ku ishte i pranishëm edhe babai i 25-vjeçarit të vrarë, ai i kërkoi ndjesë babait të Rashës, duke i thënë se nuk e kishte dëshiruar ngjarjen.

Navaldo Hajdari u dënuar me 15 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ai do kryejë 10 vite.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore