Lajme

1 muaj paraburgim për burrin që dyshohet se e vrau gruan e tij me sëpatë në Prishtinë


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj burrit i cili po dyshohet se e vrau gruan e tij në mëngjesin e hershëm të së premtes në Prishtinë.

“Është mbajtur seanca dëgjimore ku gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimin se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe një vrasje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e hershëm të së premtes në Prishtinë.

Viktima, një grua 63 vjeç është vrarë nga burri 70-vjeçar.

I dyshuari është dorëzuar vetë në polici pasi e ka kryer aktin.

Për vrasjen e rëndë përveç Policisë së Kosovës detaje ka dhënë edhe Prokuroria Themelore në Prishitnë.

Prokuroria ka thënë se e ka ndaluar burrin, I.G., për veprën, ndërsa ka shtuar se burri 70-vjeçar e ka vrarë me sëpatë gruan.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë”.

Nuk dihet motivi që çoi në vrasje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore