Lajme

1 milion dollarë për një palë atlete Yeezy


Prototipi i atleteve “Yeezy 1” të veshura për herë të parë në publik nga reperi dhe producenti, Kanye West, do të dalin në shitje për mbi 1 milion dollarë.

Sipas shtëpisë së ankandit, Sotheby, e cila po organizon shitjen, atletet Nike Air Yeezy 1, të cilat reperi amerikan i debutoi në përvjetorin e 50-të të Çmimeve Grammy në 2008-ën, do të jenë ndër atletet më të shtrenjta që janë shfaqur ndonjëherë në treg.

Të përshkruara në një njoftim për shtyp si “një nga atletet më të çmuara dhe më të kërkuara në ekzistencë”, këpucët do të shfaqen në Hong Kong, në fund të muajit.

Këpucët vijnë me një kuti prej druri që përmban një dizajn me lazer dhe gdhendje nga Mark Smith, i cili disenjoi atletet. Fotografi e bërë nga shtëpia e ankandit “Sotheby’s”

Shtëpia e ankandit nuk zbuloi një çmim të saktë, por i ka vlerësuar “më shumë se 1 milion dollarë”.

Ky çmim prej shtatë shifrash pritet të tejkalojë rekordin aktual prej 615 mijë dollarësh, i vendosur në maj të vitit 2020, për një palë Nike Air Jordan 1, të cilat ishin të veshura dhe me autograf nga basketbollisti legjendar, Michael Jordan, në 1985.

“Kjo palë është kritike për zhvillimin e ekskluzivitetit Yeezy, e cila është bërë një nga markat më të rëndësishme të atleteve dhe stilit të jetës, në histori”, tha koleksionisti i atleteve Ryan Cheng.

Lindja e një atlete ikonë

Thashethemet për linjën e mundshme të këpucëve të West kishin qarkulluar për gati një vit para performancës së tij në Grammy, në vitin 2008.

 

Krijuar në 2007 në “Innovation Kitchen” të kompanisë së veshjeve, Nike në Oregon, SHBA, atletet me vlerë mbi 1 milion dollarë ishin një version i hershëm i atleteve të njohura Nike Air Yeezy, të cilat do të dilnin në shitje për publikun, në vitin 2009.

Këto atlete do të shiteshin fillimisht me 215 dollarë, megjithëse sot, në dyqanet online si eBay, arrijnë çmimin prej 8 mijë dollarësh.

Dizajni i debutuar nga reperi në Grammy nuk doli kurr në treg. Por, në vitin 2017, kjo palë u shfaq për shitje në dyqanin e atleteve, Flight Club, dhe u shitën për 100 mijë dollarë.

Atletet prototip janë një relike e një partneriteti që nuk ekziston më. Kompania Yeezy ka i transferuar operacionet e saj nga kompania Nike tek ajo Adidas në 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore