Lajme

​Escobar: Ideja e një Evrope të lirë, nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar konsideron se ideja e një Evrope të lirë dhe në paqe nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Tutje, ai thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektivë të madhe nga ana ekonomike dhe tregtare.

“Ballkani Perëndimor është pjesa e Evropës me rritjen më të shpejtë. Ka potencialin të jetë një udhëheqës rajonal për Energjinë e ripërtëritshme, për Gazin Natyror të Lëngshëm, për transportin, për teknologjinë dhe pothuajse për çdo gjë tjetër në rajon”, tha ai.

Për këtë arsye, ai kujton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin çdo nismë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.

Escobar, theksoi se shpreson “të tejkalohet me kompromis bllokimi që ka paraqitur Bullgaria”.

“Si anëtarja më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka kontribuuar shumë, prandaj ne po përpiqemi të gjejmë mënyra që të punojmë së bashku për të ndihmuar në zgjidhjen e disa nga çështjeve të Ballkanit, disa prej çështjeve dypalëshe dhe disa nga çështjet globale”, tha ai.

Për Maqedoninë e Veriut, Escobar bëri të ditur se i ka bërë të gjitha reformat e nevojshme për të filluar konferencat ndërqeveritare me Bashkimin Evropian dhe se SHBA-të e mbështesin fuqimisht procesin e anëtarësimit.

“Pra, nuk është çështja vetëm se Maqedonia e Veriut duhet të jetë në Bashkimin Evropian. Ne kemi nevojë për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian, kemi nevojë për të gjithë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian”.

“Ideja që ne filluam në vitin 1989 për të krijuar një Evropë plotësisht të lirë dhe në paqe nuk është ende e plotë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të”, tha ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e përshpejtimit të integrimit të Ukrainës në BE, Escobar, tha se si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ai është i përqendruar në këtë rajon.

“Mendoj se janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që kanë radhën për të filluar procesin e Konferencave Ndërqeveritare. Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me BE-në kur bëhet fjalë për Ukrainën, por fatkeqësisht kjo nuk është fusha ime”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore