Kur historia e shqiptarëve paraqitet gabimisht dhe e parëndësishme


Baton Haxhiu Gazetar ne Albania

Lord Byron (1788-1824) dhe John Hobhause (1786-1869), më vonë i njohur si Lord Broughton, e vizituan Shqipërinë në vitin 1809. Që të dy i botuan udhëpërshkrimet e tyre dhe së bashku me disa udhëpërshkrues tjerë në Britani të Madhe filloi procesi i ndërtimit të imazhit të shqiptarit dhe Shqipërisë.

Në mes tjerash, Hobhouse i përshkroi edhe gratë shqiptare. Në atë kohë ky përshkrim nuk është vërejtur pothuajse aspak. Sikur ky autor t’i përshkruante edhe gratë tjera të Ballkanit, me siguri do ta aplikonte të njëjtën metodë, dhe gratë tjera nuk do të dukeshin më mirë se ato shqiptare. Byron dhe Hobhouse, në Britani kanë qenë të njohur për përkrahjen e tyre në drejtim të arsimimit të grave dhe kjo ka qenë arsyeja që këta dy nuk e shihnin me sy të mirë pozitën e gruas në Ballkan, kur e krahasonin me atë në Britani të Madhe (edhe pse atëherë edhe në këtë vend gruaja ishte në pozitë tejet më të pafavorshme se që është sot).

Sidoqoftë, ky përshkrimi i gruas shqiptare do të bëhej problematik dy shekuj më vonë kur u botua në librin ‘The Ottoman Empire’ që është një tekst shkollor alternativ, për mësim të historisë së kësaj periudhe. Ky libër është botuar në Selanik nga CDRSEE, me qëllim që të krijohet një tekst më i drejtë dhe më i pranueshëm për nxënësit e vendeve ballkanike, e cila gjë do të ndikonte edhe në krijimin e një të ardhme paqësore. Ide shumë e mirë.

Vlerësimi i Hobhouset nuk do të duhej të ishte problem sikur redaktorët e këtij libri të kishin aplikuar të njëjtën metodë në shpjegimin e gjenedjes me gratë e etniteteve tjera të Ballkanit gjatë kësaj periudhe. Por, nuk është bërë kjo. Përshkrimi i tij është dhënë në faqen 111 të këtij libri ku shihet se pozita e gruas së paarsimuar dhe jointeligjente shqiptare është ajo e skllaves së burrit (shqiptar).

Një faqe më poshtë të këtij libri, përshkruhet esnafi i grave greke të angazhuara në prodhimin e sapunit. Këto gra janë të zonja, punëtore dhe të afta në organizimin sindikal apo politik. Tri faqe më poshtë qëndron përshkrimi i grave nga Lady Montagu, e cila ka qenë gruaja e ambasadorit britanik në Stamboll. Sipas saj, gratë e Stambollit janë fenomenale. Ato janë të bukura, sikur që e kanë edhe veshjen, dhe posedojnë aftësi dhe moral të lartë. Madje, sipas gruas së ambasadorit, gratë otomane janë në pozitë më të mirë se gratë e vendeve evropiane, për shkak se ato edhe mund të shkurorëzohen dhe të mos mbesin pa trashëgimi.