Protesta në Shkodër, studentët qëllojnë me vezë derën e Rektoratit
Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në protestë në shenjë solidariteti me studentët që po protestojnë në Tiranë.
Protesta nisi në ambientet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, nga ku studentët marshuan drejt Bashkisë së Shkodrës dhe më pas u ndalën para godinës së Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Gjatë tubimit para Rektoratit, studentët shprehën pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve “Turp!”, ndërsa disa prej tyre qëlluan me vezë derën e godinës.
Studentët deklaruan se do të vijojnë protestat, duke riafirmuar solidaritetin me protestuesit në kryeqytet.
Bojkoti dhe tubimi në Shkodër i bashkohen kështu reagimeve të studentëve jashtë Tiranës në mbështetje të lëvizjes studentore.