Kosova zgjedh kryetarët

LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Elezaj shpall fitoren në Klinë

Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, e ka shpallur fitoren në këtë komunë, duke thënë se është i pari që është radhitur pas numërimit të 85,48% të votave, ku kryeson me 7 mijë e 22 vota ose 48.85%.

Elezaj ka thënë se votat e diasporës do ta konfirmojnë triumfin pa balotazh.

“Rezultatet e para tregojnë qartë se po prijmë bindshëm në Klinë. Kjo është fitore e madhe e besimit dhe e punës së përbashkët, e cila do të vuloset nga vota e qytetarëve tanë brenda dhe jashtë vendit. Votat e diasporës do ta konfirmojnë fitoren tonë pa balotazh”.

“Faleminderit nga zemra secilit anëtar, aktivist dhe qytetar që besoi në vizionin tonë për një Klinë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar!”, ka shkruar ai.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

PDK-ja fitoi më së shumë komuna në raundin e parë, thotë Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë një trubimi të organizuar për të shënuar rezultatin e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Jugut, ka deklaruar me entuziazëm se PDK-ja është fituese e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

PDK-ja ka fituar në raundin e parë më së shumti komuna, ka numrin më të madh në kuvende komunale, si dhe është partia me më së shumti komuna që do të marrë pjesë në balotazhin e 9 nëntorit, ka shktuar Krasniqi.

E kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, shpalli fitoren në këtë komunë, duke premtuar se prioritet do të ketë qytetarët. Ai aktualisht prin me 47.92 për qind të votave nga votat e numëruara.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Abdixhiku shpall fitoren e LDK-së: 12 tetori është i 12 komunave tona

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë para mediave tre orë pas mbylljes së vendvotimeve për të shpallur fitore të qartë për partinë e tij në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se LDK ka fituar, prin dhe është në garë në gjithsej 12 komuna të vendit, duke e cilësuar këtë si një ditë historike për partinë.

“LDK në këtë konferencë për media ka fituar, prin dhe është në garë në gjithsej 12 komuna. Pra, 12 tetori është i 12 komunave të LDK-së”, tha Abdixhiku.

Ai konfirmoi se LDK ka siguruar fitore në raundin e parë në tri komuna: Istog, Lipjan dhe Junik, ndërsa përmendi se kandidati i Pejës, Gazmend Muhaxheri, është shumë afër kalimit të pragut për fitore pa balotazh.

“LDK sonte shpall fitoren në raund të parë në këto komuna: Istog, Lipjan dhe Junik. Afër këtij urimi është Gazmend Muhaxheri, i cili është afër ta përfundojë garën që në raund të parë. Presim që me votat e mërgatës në Pejë, ky prag të kalohet lehtësisht mbi 50%”, u shpreh ai.

Abdixhiku e cilësoi rezultatin në kryeqytet si një kthesë të madhe për LDK-në, duke theksuar se pas 12 vitesh partia po rikthehet si forca e parë në Prishtinë.

“Në Prishtinë, pas 12 vitesh, LDK është parti e parë, edhe për kandidat, edhe për Kuvend Komunal. Kjo është shenjë e një pune të madhe të Përparimit, të LDK-së, është shenjë e forcimit të vërtetë të LDK-së,” theksoi kryetari i LDK-së.

Abdixhiku tha se sipas të dhënave të siguruara nga komisionerët e LDK-së në terren, me mbi 70% të votave të numëruara në Prishtinë, kandidati i LDK-së, Përparim Rama, kryeson me rreth 36% të votave, pasuar nga Hajrulla Çeku i LVV-së me 32% dhe Uran Ismaili i PDK-së me 26%.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Ardian Gjini kryeson garën në Gjakovë me mbi 47% të votave

Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas numërimit të mbi 90% të votave, prin në garën për zgjedhjet lokale për komunën e Gjakovës me 47.61% ose 11 mijë e 820 vota. Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 31.60% ose 7 mijë e 845 vota, ndërsa Shefqet Shehu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka grumbulluar 8.35% ose 2 mijë e 74 vota.

Anton Shala nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka marrë 6.01% ose 1 mijë e 493 vota, ndërsa Ervin Shabani nga Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 5.97% ose 1 mijë e 481 vota.