Zgjedhjet e fundvitit

LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 13:20, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare kanë marrë pjesë 17.26 % për qind e votuesve.

Sipas të dhënave zyrtare, gjithsej 345 mijë e 101 qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës, nga 1 milionë e 999 mijë e 204 qytetarë të regjistruar me të drejtë vote.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dielën ka ushtruar të drejtën e votës në Komunën e Prishtinës.

Në një prononcim të shkurtër për media, Osmani uroj që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë “me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe të qeverisë”.

“Uroj që sot Republika e Kosovës të ketë zgjedhje të qeta, zgjedhje të rregullta, zgjedhje demokratike. Uroj po ashtu që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive”, tha Osmani.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Konjufca pas votimit: Zgjedhjet janë prova më e rëndësishme e demokracisë

Pas hedhjes së votës në zgjedhjet parlamentare, nënkryetari i Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka theksuar rëndësinë e ditës së zgjedhjeve si moment kyç për funksionimin demokratik të vendit, duke bërë thirrje për një proces të qetë dhe pa incidente.

Konjufca u shpreh se përmes votës së lirë qytetarët e Kosovës po dëshmojnë pjekurinë demokratike të shoqërisë, duke uruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

“Sot është dita më e rëndësishme e demokracisë sepse populli i Kosovës voton. Uroj që këto zgjedhje parlamentare të shkojnë pa asnjë problem, të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa ekscese”, tha Konjufca.

Ai shtoi se vetëm një proces i qetë dhe korrekt e dëshmon pjekurinë demokratike të vendit.

“Vetëm kështu e tregojmë pjekurinë tonë edhe si popull edhe si shoqëri. Uroj që të fitojë më i miri, ai që ka qëndruar më së afërti me interesave të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Duke iu referuar zhvillimit institucional ndër vite, Konjufca theksoi se Kosova ka më shumë se dy dekada që po punon në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë.

“Po bëhen mbi dy dekada që Kosova po e dëshmon pjekurinë e vet demokratike. Dëshiroj që gjithçka sot të shkojë mirë dhe i ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, përfundoi Konjufca.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Dhomat Operative të KQZ-së kanë raportuar mungesë të energjisë në gjashtë qendra të votimit në Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar në një konferencë se për këtë problem është njoftuar edhe KEDS-i, zyrtarët e së cilës janë në terren.

Ai gjithashtu ka njoftuar edhe për raportimet që janë pranuar nga komuna e Rahovecit, ku janë vërejtur fletëvotime me shenja të dukshme tek numrat.