LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas një incidenti mes deputetëve, pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Incidenti ndodhi pasi Kurti kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike rreth kandidatit për kryetar të Kuvendit.

Pas veprimit të Kadrijajt, situata në sallë u tensionua dhe pati reagime nga deputetët e pranishëm.

Në situatë ndërhynë edhe pjesëtarët e sigurimit të Kuvendit, ndërsa seanca u ndërpre.

Ngjarja ndodhi në vazhdimin e seancës konstituive, në një kohë kur partitë ende nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar edhe një herë kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as në vazhdimin e seancës së sotme.

Në fillim të seancës, Kurti tha se ende nuk janë krijuar kushtet për një marrëveshje mes partive politike, duke kërkuar që procesit t’i jepet më shumë kohë.

Për shkak të mungesës së një dakordimi politik, seanca konstituive nuk prodhoi rezultat dhe procesi mbeti i bllokuar.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Pas rreth 50 minutash vonesë, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbërritur në Kuvendin e Kosovës, duke i hapur rrugë nisjes së vazhdimit të seancës konstituive. Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 11:00, por nisi me vonesë për shkak të mungesës së deputetëve të partisë fituese.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Ramadani: U bë gati mesdita dhe deputetët e VV-së ende nuk kanë ardhur në seancë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për vonesën në nisjen e seancës konstituive, duke thënë se deputetët e partisë fituese nuk ishin paraqitur as 40 minuta pas orarit të caktuar.

Para mediave, Ramadani tha se kishte ardhur për të parë nëse seanca do të mbahej, por se mungesa e deputetëve të pushtetit dëshmon, sipas tij, mungesë serioziteti.

“Erdha ta inspektoj a ka apo s’ka seancë. U bë gati ora 11:40 dhe ende nuk ka asnjë deputet të pushtetit që ka ardhur në seancë. Nuk e kuptoj këtë joseriozitet. Kosova ka humbur shumë kohë, ndërsa ata po vazhdojnë ta humbin edhe më shumë”, deklaroi Ramadani.

Ai kujtoi se opozita kishte kërkuar mbajtjen e një seance një natë më parë, por, sipas tij, kërkesa nuk ishte pranuar.

“Ne e thirrëm një seancë mbrëmë, nuk erdhën. Tash e thërrasin vetë seancën dhe po bëhet një orë që nuk janë këtu”, tha ai.

Ramadani shtoi se ngërçi institucional po ndodh në një kohë kur qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës.

“Nafta ka shkuar në 1.8 euro dhe çdo situatë e tillë vetëm sa po e rëndon jetën e secilit qytetar në Kosovë. Është një joseriozitet i madh”, u shpreh ai.

Deputeti i AAK-së e cilësoi situatën aktuale si “totalisht absurde”, duke përsëritur qëndrimin e partisë së tij se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit tashmë ka përfunduar.

Në fund, Ramadani propozoi që të gjithë deputetët, përfshirë ata të pushtetit, t’i nënshtrohen testit të drogës që nga fillimi i mandatit të tyre.