LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Policia tërhiqet, ua liron sheshin protestuesve

Pas bisedës mes Rrahman Ramës dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe diskutimeve të Ramush Haradinajt me pjesëtarët e policisë, forcat policore janë tërhequr nga sheshi para Kuvendit të Kosovës, duke ua liruar protestuesve hapësirën për të vazhduar protestën.

Tërheqja e policisë ka ardhur pas tensioneve të krijuara gjatë mbrëmjes, ku pati përplasje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pas dakordimit, protestuesit kanë nisur të rikthehen në hapësirën e liruar, ndërsa protesta pritet të vazhdojë pa praninë e kordonit policor në pjesën ku po qëndrojnë protestuesit.

Gjatë protestës, disa qytetarë janë lënduar, ndërsa disa të tjerë kanë pretenduar se janë rrahur fizikisht nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Të lënduar ka edhe në radhët e Policisë.

Deputetë të PDK-së dhe Aleancës i janë bashkuar protestuesve, duke u shprehur se e kuptojnë shqetësimin e tyre dhe situatën në të cilën ndodhen.

Fahrush Rexhepi
Fahrush RexhepiDeputet i Lëvizjes Vetëvendosje

Deputeti i LVV-së, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit para Kuvendit të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se tashmë dihet edhe personi që, sipas tij, ka dhënë urdhrin për “sulmin” ndaj tij të hënën në Prishtinë.

E plotë:

Sot, pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, u përballa me një akt të turpshëm dhe të papranueshëm nga disa prej protestuesve të mbledhur para Kuvendit.

Nuk po shkruaj vetëm si deputet i Republikës së Kosovës. Po shkruaj si njeri që ka kaluar nëpër periudha të ndryshme të historisë së këtij vendi dhe që, bashkë me familjen time, kemi dhënë kontributin tonë në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e gjatë të lirisë së Kosovës. Ky kontribut është i njohur dhe nuk kam nevojë ta dëshmoj me fjalë.

Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam.

Nuk i bëjnë nder as atyre që sot ndodhen në Hagë dhe që po përballen me një proces të rëndë.

Dhe një sqarim për ata të identifikuar tani që sot, pas asaj që ndodhi, po kërkojnë takim me mua për kërkim falje: kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin.

Edhe urdhërdhënësi i sulmit tash veç se dihet.

Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Faleminderit të gjithëve për thirrjet, mesazhet dhe interesimin tuaj. Ju jam mirënjohës për çdo fjalë mbështetjeje dhe përkrahjeje.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore

Drejtori i Emergjencës në Prishtinë, Naser Syla, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës së sotme pranë Kuvendit të Kosovës, ku u përdor edhe gaz lotsjellës.

Syla ka bërë të ditur se deri në momentin e deklarimit të tij, në Qendrën Emergjente janë pranuar 12 persona, prej të cilëve një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.

“Deri në këtë moment në Qendrën Emergjente kemi pranuar 12 raste, 12 pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Prej tyre ka qenë një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar për efektet e gazit lotsjellës”, ka deklaruar Syla.

Ai ka bërë të ditur se gjendja e të gjithë pacientëve ka qenë e mirë dhe se nuk është raportuar për lëndime të rënda.

OVL-UÇK
OVL-UÇK

Popull i dashur,

Kategori të dala nga lufta e UÇK-së,

Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës.

Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon.