LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

“UÇK-ja nuk ishte rastësi, por domosdoshmëri historike”

Buna Mustafa, vajza e ish-komandantit të UÇK-së, Sali Mustafa – Cali, ka thënë se tubimi i sotëm është një mbështetje për luftën çlirimtare dhe për mbrojtjen e historisë së Kosovës.

Sipas saj, me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më e qartë roli që ka pasur Ushtria Çlirimtare e Kosovës në historinë e vendit.

“Ditët po kalojnë, vitet po ndërrohen, mendjet po kthjellohen, por edhe e vërteta çdo ditë e më shumë po ndriçohet se UÇK-ja nuk ka qenë rastësi, por ka qenë domosdoshmëri historike”.

Ajo tha se UÇK-ja ishte një ushtri e dalë nga populli, e krijuar për t’i bërë ballë regjimit serb dhe jo për të ushtruar terror.

Duke folur për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ajo tha se drejtësia nuk mund t’i barazojë çlirimtarët me autorët e krimeve.

“Drejtësia e vërtetë nuk mund t’i barazojë kurrë çlirimtarët me xhelatët serbë. Nuk mund të barazohen ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid”, tha ajo.

Në fund të fjalimit, Mustafa kujtoi një thënie të babait të saj, Sali Mustafës.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme”.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Hamza u bën thirrje gjykatësve të Hagës: Mendoni për pasojat para se të vendosni

“Hashim, ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”. Nën këto thirrje, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e nisi fjalimin e tij para mijëra të pranishmëve, duke u bërë thirrje gjykatësve të Hagës që të mendojnë për vendimin që do të marrin.

“Atyre që e marrin vendimin, sot, nga ky shesh, ju themi: mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator”, deklaroi Hamza para të pranishmëve.

Ai ka thënë se populli i Kosovës u ngrit për rezistencë dhe për dinjitet.

“Në këtë shesh të Prishtinës, nuk po shoh vetëm mijëra qytetarë. Po e shoh Kosovën, po i shoh njerëzit që e kanë mbajtur këtë vend gjallë në ditët më të vështira. Po i shoh familjet që e kanë paguar çmimin e lartë për liri. Po i shoh veteranët që në trupin e tyre i kanë plagët e luftës dhe po i shoh një brez të tërë që nuk e mori lirinë si dhuratë. Të gjithë bashkë sot nuk kemi ardhur këtu vetëm për të marshuar”.

“Kemi ardhur për të dëshmuar se Kosova kujton, nderon dhe mbron. E kujton, nderon dhe mbron UÇK-në”.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Gjini: Sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, sot armiqve po i flet populli i lirë i Kosovës.

“Gjithkujt mundemi me i fol ndryshe, do i dëshirojmë do nuk i dëshirojmë, por diçka e kuptojnë të gjithë të njëjtë: a e din kundër kujt ka luftuar UÇK-ja: Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionat e frigoriferë me trupa të shqiptarëve. Kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar mijëra gra”.

Luftëtarët e UÇK-së, sipas Gjinit, meritojnë me e ngrit kapelën secili edhe me ju thonë: Faleminderit për shërbimin, e jo me i persekutu.

“Gjatë ka shkuar duke i persekutuar luftëtarët e lirisë”, tha ai.

Tregimi i popullit të Kosovës, sipas Gjinit, është i pastër si loti, është i drejtë, është luftë për të mbijetuar.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Tasholli: UÇK-ja na ka bashkuar dje, na bashkon sot dhe do të na bashkojë gjithmonë

Themeluesi i platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli, tha se UÇK-ja ka qenë faktor bashkues për shqiptarët dhe do të mbetet e tillë edhe në të ardhmen.

“UÇK-ja na ka bashkuar dje, UÇK-ja na bashkon sot dhe UÇK-ja do të na bashkojë gjithmonë, sepse ka qenë drita në terrin tonë kombëtar dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Tasholli.

Gjithashtu ai potencoi se mbështetja qytetare e treguar në ditët e fundit dëshmon se UÇK-ja vazhdon të zërë vend të veçantë në ndërgjegjen e qytetarëve të Kosovës.

“Këto ditë anembanë Kosovës e kemi parë një gjë: Kosova e do UÇK-në. Faleminderit të gjithëve”, tha Tasholli.

Ai u shpreh se, sipas tij, çdo përpjekje për ta zbehur rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka prodhuar efektin e kundërt.

“Sa më shumë janë munduar ta ligështojnë, ajo është kthyer si feniksi, më e fuqishme se kurrë, sepse fuqinë ushtari i lirisë e merr prej vendit të tij dhe njerëzve të tij. Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër – UÇK-në. Kërkush s’na ka falur dhe kërkush s’mundet me na e marrë”.

Duke iu referuar ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Tasholli tha se qytetarët i konsiderojnë ata të pafajshëm.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të presin “çlirimtarët” më 16 shtator, duke theksuar se ata nuk janë vetëm në përballjen e tyre me procesin gjyqësor.

“Ata janë në betejën e fundit, por nuk janë vetë, sepse ne jemi gjithmonë me ta. Le t’i presim më 16 shtator ashtu siç na ka hije, sepse Kosova me të vërtetë i pret”.