LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

IKD: Kuvendi nuk mund të mbahet peng nga marrëveshjet politike

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se mungesa e një marrëveshjeje politike mes partive nuk mund të përdoret si arsye për bllokimin e procesit institucional.

“Ushtruesja e detyrës së Presidentes e ka thirrur seancën në ditën e tridhjetë, duke ua lënë partive politike gjithë kohën e nevojshme për të arritur marrëveshje për institucionet e reja. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Sipas tyre, seanca kishte nisur sipas procedurave të përcaktuara, pasi ishte verifikuar kuorumi, deputetët kishin dhënë betimin dhe ishte miratuar raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve.

“Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive”.

Instituti ka thënë se sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat, duke theksuar se ajo nuk mund të përdoret për diskutime politike apo kushtëzime për çështje të tjera.

“Zgjedhja e Presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit”.

IKD ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar detyrimin që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, duke theksuar se ky afat nuk është vetëm orientues.

“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën”.

Sipas këtij instituti, mungesa e një sanksioni të përcaktuar për mosrespektimin e afatit nuk nënkupton se ai mund të shkelet.

“Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues”, ka thënë IKD-ja.

Gjithashtu, IKD ka vlerësuar se zhvillimet politike mes partive, përfshirë mungesën e marrëveshjeve për koalicione, nuk mund të ndryshojnë procedurën kushtetuese të konstituimit të Kuvendit.

“Refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për koalicion, si dhe mungesa e rezultatit nga takimet ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, janë zhvillime politike që nuk mund të ndryshojnë procedurën kushtetuese të konstituimit. Asnjë parti dhe asnjë deputet nuk mund ta kushtëzojë përmbushjen e një detyrimi kushtetues me rezultatin e negociatave politike”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e procesit të konstituimit brenda afatit kushtetues.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Kurti: Konstituimi i Kuvendit s’vazhdon pa marrëveshje për presidentin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje për presidentin, duke thënë se nevojitet kohë shtesë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Kurti, në një konferencë për media, ka thënë se nëse nuk arrihet një marrëveshje për presidentin, vazhdimi i konstituimit të Kuvendit në këtë fazë mund ta vështirësojë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

“Është e nevojshme t’i jepet shansi vazhdimit të diskutimit, para konstituimit të Kuvendit, gjë që mund ta vështirësonte mandej marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës. Prandaj, na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”, ka deklaruar ai.

Kurti është arsyetuar me zhvillimet e legjislaturës së kaluar, duke thënë se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa u zgjidhur paraprakisht çështja e presidentit nuk e kishte shmangur krizën institucionale.

“Herën e kaluar e pamë se, pa e zgjidhur çështjen e presidentit, kot e konstituojmë Kuvendin apo e votojmë e formojmë Qeverinë, sepse vendi u desh të shkojë në zgjedhje”.

Ai teksa u ka bërë thirrje Aleancës dhe PDK-së për takim, ka vlerësuar se “duhet të lëvizim çdo gur që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”.

Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre pasi Kurti nuk prezantoi emër për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Çitaku kritikon Kurtin pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për zvarritje të qëllimshme të procesit.

“Sot u pa qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave, por zgjedhje politike e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se nuk kishte arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe që procesi i konstituimit të mos përfundonte.

“Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për kryetar të Kuvendit dhe që Kuvendi të mos votohej për konstituimin e tij. Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë krejtësisht e qartë në aktgjykimin e saj: Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”.

Çitaku ka kritikuar edhe mosveprimin e institucioneve, duke e cilësuar atë si shpërfillje të rendit kushtetues.

“Mosveprimi i sotëm nuk është vetëm papërgjegjësi politike. Është shpërfillje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues dhe e detyrimeve që burojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Ajo i bëri thirrje Kurtit që të ndërmarrë hapa për konstituimin e Kuvendit.

“Kosova nuk mund të mbahet peng për llogari të kalkulimeve politike të një njeriu apo një partie. Albin, mjaft. Konstituoje Kuvendin menjëherë dhe lëre Kosovën të ecë përpara”.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Hoxhaj: Kosova po kalon në situatë anarkike

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar situatën aktuale politike në vend, duke e cilësuar atë si “anarkike” dhe larg funksionimit normal institucional të Kuvendit të Kosovës.

Hoxhaj ka bërë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke theksuar se zvarritja e procesit po dëmton funksionimin demokratik të vendit.

“Zoti Kurti e ka marrë këtë vend, i cili ka qenë demokracia më e madhe në Ballkan si shteti më i ri, dhe e ka shndërruar në anarkinë më të madhe. Kjo situatë është anarkike dhe nuk i përngjan një Kuvendi të Kosovës. Ne presim që institucionet të krijohen sa më shpejt”, ka deklaruar Hoxhaj.