Hamza: PDK e dërgon seancën konstituive në Kushtetuese
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar se partia e tij nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit, pasi deputetët e LVV-së abstenuan në votimin e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Hamza tha se PDK-ja kishte ardhur në seancë me synimin që Kuvendi të konstituohej dhe vendi të kishte institucione, por akuzoi LVV-në dhe Albin Kurtin se po vazhdojnë bllokadën.
“Partia shumicë, LVV-ja, Albin Kurti, nuk e ka ndërmend vendit me i dhënë institucione. Vazhdon me veprimet e tyre të papërgjegjshme, joinstitucionale, joshtetërore, jo në dobi të qytetarëve të Kosovës, me prodhu drama, me prodhu kriza, me shpik situata të panjohura me qëllim që të vazhdojë me bllokadën”, deklaroi Hamza.
“Prej sot, PDK nuk ka asnjë arsye me marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe ne do ta referojmë, do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht”, tha ai.
“Ne e votuam të propozuarin nga radhët e LVV-së, ndërsa ata nuk e votuan kandidaten nga PDK-ja dhe në këtë mënyrë e pamundësuan konstituimin e Kuvendit”, përfundoi Hamza.
